Gjenerali Wesley Clark nderohet me dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”

Prishtinë, 23 qershor 2024 – Ish-komandanti i NATO-s, gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, është nderuar të dielën nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova”, për rolin e tij në çlirimin e Kosovës.

Gjenerali Clark, i cili e ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër makinerisë ushtarake e policore serbe në citin 1999, është ndër personalitetet më të respektuara në Kosovë.

Në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se emri i gjeneralit Clark është i ngulitur në themelet e shtetit të Kosovës dhe e ka falënderuar për mbështetjen që ka ofruar ai për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës deri më sot e në vijim.

‘’Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe’’, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se aleanca veriatlantike e udhëhequr nga gjeneralit Clark i ka dhënë shpresë dhe forcë popullit të Kosovës në orët më të rënda të tij.

‘’Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese që jo vetëm e ndryshoi rrjedhën e historisë sonë, por edhe siguroi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta, të njerëzve tanë’’, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se dekorata “Dr. Ibrahim Rugova’’ është shprehje e mirënjohjes për kontributin e Gjerneralit Clark si edhe vlerave që pëfaqëson ai.

‘’Gjeneral Clark, kjo dekoratë simbolizon jo vetëm vlerësimin tonë të thellë, por edhe njohjen tonë për vlerat që i përfaqësoni ju – vlera këto që përputhen me vizionin e udhëheqësit tonë të nderuar, Dr. Ibrahim Rugova’’, ka thënë Abdixhiku.

Ai i ka kërkuar gjeneralit Clark të vazhdojë ta ndihmojë për forcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve të Kosovës me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n.

Gjenerali Clark, duke e pranuar dekoratën, e ka vlerësuar rolin e LDK-së dhe të Presidentit Rugova në procesin e vendimarrjes për ndërhyrjen e NATO-s dhe pastaj për pavarësinë e Kosovës.

“Mendoj se suksesi i intervenimit të NATO-s, në dallim me vendet tjera ku ka intervenuar, është se në Kosovë funksiononte LDK-ja dhe presidenti Rugova”, ka thënë ai.

Gjenerali Clark ka thënë se secilën herë që vjen në Kosovë ai impresionohet me progresin. Ai ka shfaqur shpresën se udhëheqësit dhe institucionet shtetërore, si edhe subjektet politike të Kosovës, do të vazhdojnë ta konsiderojnë Amerikën si mike të madhe të Kosovës dhe do të vazhdojnë të punojnë për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me SHBA-në dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë me ju, për përparimin që keni bërë, për shembullin që keni treguar”, është shprehur ai.

Dekorarta “Dr Ibrahim Rugova” është dekorata më e lartë që ndahet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo u ndahet personaliteteve që kanë merita të veçanta për lirinë, pavarësinë e demokracinë në Kosovë, të cilat kanë qenë postullat i mendimit dhe veprimit politik të Rugovës, për çka ishte i vlerësuar në botën demokratike.

LDK-ja thotë se ajo udhëhiqet nga filozofia politike e Rugovës.

(r.m.)