Edi Rama mban fjalimin e fitores së Partisë Socialiste

Tiranë, 27 prill 2021 – Në Shqipëri, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e shpalli fitoren e partisë së tij në zbgjedhjet parlamentare që u mbajtën të dielën.

Në fjalimin e tij, në Sheshin “Skënderbej”, Rama e cilësoi këtë si fitoren “më të vështirë, më të madhe dhe më të bukur” të Partisë Socialiste. Për këtë fitore ai e përgëzoi “skuadrën” që e udhëhoqi partinë.

“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur ‘12’, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo. Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për cdo vajzë e djalë, grua e burrë, që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues, në këtë fushatë spektakolare dhe që dha më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampione në fuqi. Por, më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që me urtësi e vendosmëri, vendosën me votën e tyre në një moment kaq sfidues për Shqipërinë. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi”, tha ai.

Rama e vlerësoi e madhoi futoren e Partisë Socialiste edhe duke e vlerësuar fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj Lulzim Basha.

“Lulzim Basha dhe Partia Demokratike bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se në të gjitha herat tjera dhe, përtej ndonjë eksesi tradicional, gjëra që e dëmtuan dhe dëmtojnë forcën e tyre, demokratët ishin kundërshtarë jo aq të lehtë këtë herë, që meritojnë respektin tonë. U them atyre sinqerisht se më shumë se kaq nuk bënin dot, madje bënë më shumë se ç’mund të bënin normalisht”, tha Rama.

Sidoqoftë, ai iu drejtua me një mesazh kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Mesazhi im i sinqertë për Bashën është ky: prano humbjen me dinjitet, se nuk bëre dot sa deshe, por bëre sa munde. Mospranimi në kohën e duhur i kësaj humbjeje aspak turpëruese e zmadhon përmasën e humbjes që Partia Demokratike e arriti të dielën përballë Partisë Socialiste”, u shpreh Rama.

Ai tha se Partia Demokratike, nga kushdo që do të drejtohet, do të jetë opozita e vetme e Partisë Socialiste.

“Miq demokratë, ne jemi më të mirët, ju jeni më të mirët, pas nesh. Ky është fakt. Nuk më takon mua dhe nuk është përgjegjësia dhe e drejta jonë të vendosni si do ta lexoni ju rezultatin. Nëse do jetë apo jo Basha që do drejtojë Partinë Demokratike, kjo është puna juaj, por, me apo pa Lulzim Bashën, ne kemi të qartë që opozita jonë e vetme është Partia Demokratike”, tha Rama.

E megjithatë, ai tha se do t’ia shtrijë “dorën e bashkëpunimit” Partisë Demokratike.

“Ne i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim a kufizim, Partisë Demokratike. Unë dua të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë. Dua të jem edhe i demokratëve, jo vetëm i socialistëve. Unë  dua që Shqipëria të ngjitet në majën, ku Zoti e deshi”, tha Rama.

“Kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD, duke e bërë të qartë se mandatin e tretë duam t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive, punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë, sepse politika është e vetmja në tokë, që di t’i bëjë të dyja”, theksoi ai.

Rama bëri thirrje që të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë për ta ngritur në lartësitë ku e deshën rilindësit dhe heronjtë e saj.

“Politika e ka penguar Shqipërinë të ngritet në majë, ku Zoti e deshi kur e krijoi, dhe politika mund ta çojë. Prandaj, le të përpiqemi ta vëmë politikën, më shumë se asnjëherë më pare, në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindësve dhe heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë. Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj decade”, theksoi Rama.

“Shqipëria fitoi më 25 prill, tani është radha jonë të fitojmë cdo ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri-tjetrin. Rroftë Partia Socialiste! Rroftë i madh e i vogël që ka lindur shqiptar! Rroftë Shqipëria!“, tha Rama në fund të fjalimit të tij.

(r.m.)