Tiranë, 25 qershor 2024 – Gjykata e Apelit në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Tiranë la në fuqi dënimin me 2 vjet burg për blerje votash të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, çështja e të cilit shkaktoi tensionim të marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Athinës dhe kërcënim nga ana e Greqisë për bllokimin e integrimit evropian të Shqopërisë.
Pas dhënies së vendimit të martën, ambasadortja e Greqisë në Tiranë Konstantina Kamitsi përsëriti për gazetarët shqetësimet për proces të parregullt ligjor.
“Për fat të keq shumë aspekte të kësaj çështjeje ngrejnë pikëpyetje, sa i përket objektivitetit të procesit, siç është çështja e shkeljes së prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur, dënimi jo proporcional dhe moslejimi i të drejtës së betimit,” deklaroi Kamitsi.
Beleri u arrestua më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve, kur një agjent policie i ofroi atij vota për para. Beleri pretendon se çështja kundër tij ishte e stisur dhe e sajuar si rrjedhojë e kërcënimeve që kryeninistri Edi Rama dhe kundërshtari i tij politik bëri kundër tij pak ditë para arrestit.
Pavarësisht se në burg, Beleri arriti të mposhtë kryebashkiakun socialist Jorgo Goro. Kërkesa të përsëritura për institucionet shqiptare të drejtësisë për të lejuar Belerin të marrë detyrën e kryebashkiakut duke u betuar, u refuzuan, duke lënë socialistët efektivisht në kontroll të bashkisë pasi i kishin humbur zgjedhjet. .
Beleri u zgjodh anëtar i Parlamentit Evropian më herët këtë muaj dhe pritet të marrë detyrën pas disa muajsh, kur afati i dënimit me burg në Shqipëri të skadojë.
Gjithsesi, karriera e tij politike në Shqipëri merr fund në rast se vendimi i sotëm konfirmohet nga Gjykata e Lartë apo ajo Kushtetuese. Shqipëria ka miratuar një ligj për të ndaluar personat e dënuar për krime të rënda apo për krime zgjedhore që të garojnë, për 20 vjet pas dënimit.
Dënimi i apelit krijon gjithashtu kushtet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të deklarojë pazgjedhshmërinë e Belerit si kryebashkiak dhe rrjedhimisht, të shpallë vakancën duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme në Himarë.