Luksemburg, 25 qershor 2024 – Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell tha të hënën se mbajtja e marrëdhënieve të ngushta me regjimin e Vladimir Putinit, nuk është në përputhje me ndërtimin e së ardhmes evropiane.
Ai i bëri këto komente gjatë një konference shtypi pas një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian me ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe punëve të jashtme.
“Harmonizimi i politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian konsiderohet një zgjerim i zgjedhjes së tyre strategjike dhe përkushtim për anëtarësim. Mbajtja e raporteve të ngushta me regjimin e (Vladimir) Putinit nuk është në përputhje me ndërtimin e të ardhmes së përbashkët me dhe brenda Bashkimit Evropian”, tha ai.
Beogradi, ndryshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore, nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç, tha pas takimit se vendi i tij pas hyrjes në Bashkimin Evropian do të ketë politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.
“Deri atëherë, ne duam të ngremë nivelin e përputhshmërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, por gjithashtu kërkojmë ndihmë për zgjidhjen e çështjeve nga e kaluara për të cilat gjeneratat aktuale në Serbi nuk janë përgjegjëse dhe të cilat nuk mund të zgjidhen në mënyrë të drejtë pa përfshirjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar”, tha zoti Gjuriç.
Në kundërpërgjigje të kësaj deklarate, shefi i politikës së jashtme evropiane Josep Borrell tha se “ndarja e një politike të jashtme është një kusht për anëtarësim, rruga drejt zgjerimit përfshin politikën e jashtme. Nuk mund të jesh shtet anëtar dhe pastaj të prishësh politikën e jashtme”.
Ndonëse formalisht synon integrimet evropiane, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën e cila mbështet pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore.
(Zëri i Amerikës)