Mark Rutte emërohet shef i ri i NATO-s

Bruksel, 26 qershor 2024 – NATO-ja zgjodhi të mërkurën kryeministrin holandez Mark Rutte si shefin e ardhshëm të saj, teksa vazhdon lufta në Ukrainë dhe aleanca transatlantike përballet me paqartësi rreth qëndrimit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj saj.

Emërimi i zotit Rutte u shndërrua në një formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar se hoqi dorë nga gara, pasi nuk arriti të sigurojë mbështetje.

Zoti Rutte do të marrë detyrën më 1 tetor nga Jens Stoltenbergu i Norvegjisë, i cili do të largohet pas shërbimit prej një dekade në këtë post.

Ambasadorët nga 32 vendet anëtare të aleancës morën vendimin në një takim në selinë e NATO-s në Bruksel.

Zoti Rutte tha se ai pret me padurim të marr përsipër punën, ndërsa nënvizoi se “aleanca është dhe do të mbetet gurthemeli i sigurisë sonë kolektive. Udhëheqja e kësaj organizate është një përgjegjësi që nuk e marr lehtë”, shkroi ai në rrjetin X.

https://x.com/MinPres/status/1805887841576128984?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1805887841576128984%7Ctwgr%5E04732e4f031db9b06b3ce8d7134e159dd423814c%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7674311.html

Pasi shpalli interesimin e tij për postin vitin e kaluar, zoti Rutte fitoi herët mbështetjen e vendeve kryesore anëtare të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Të tjerët ishin më të rezervuar, veçanërisht vendet e Evropës Lindore, të cilat argumentuan se posti duhej t’i takonte dikujt nga rajoni i tyre për herë të parë.

Por, në fund ata mbështetën zotin Rutte, një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin dhe një aleat i vendosur i Ukrainës.

Sekretari Stoltenberg tha se mirëpriti ngrohtësisht zgjedhjen e zotit Rutte si pasardhësin e tij.

“Marku është një transatlantik i vërtetë, një udhëheqës i fortë dhe një ndërtues i konsensusit”, tha ai. “E di që po e lë NATO-n në duar të mira”.

https://x.com/jensstoltenberg/status/1805880452869210275?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1805880452869210275%7Ctwgr%5E04732e4f031db9b06b3ce8d7134e159dd423814c%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7674311.html

NATO-ja i merr vendimet me konsensus, kështu që zoti Rutte, i cili po largohet nga politika holandeze pas gati 14 vitesh si kryeministër, mund të konfirmohej vetëm pasi të 32 anëtarët e aleancës t’i jepnin mbështetjen e tyre.

Zoti Rutte do të përballet me sfidën e ruajtjes së mbështetjes së aleatëve për luftën e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë dhe shmangies së përfshirjes së drejtpërdrejtë të NATO-s në një luftë me Moskën.

Ai gjithashtu do të duhet të përballet me mundësinë që Donald Trump skeptik ndaj NATO-s, mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Kthimi i mundshëm i zotit Trump i ka nervozuar udhëheqësit e NATO-s pasi ish-presidenti republikan vuri në pikëpyetje gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur anëtarët e tjerë të aleancës, nëse ata sulmohen.

(Zëri i Amerikës)