Uashington, 26 qershor 2024 – I pari nga dy debatet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të zhvillohet të enjten. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, retorika e kandidatëve rreth temave më të ndjeshme, si emigracioni dhe çështjet penale kundër ish-presidentit Donald Trump, po ashpërsohet.
Të enjten amerikanët do të mësojnë nëse vendimi për shpalljen fajtor të ish-presidentit Donald Trump do të përdoret si një pikë sulmi në skenën e debatit nga rivali i tij demokrat, presidenti Joe Biden.
“Nuk është vetëm përmendja e Donald Trumpit si një kriminel i dënuar, por edhe sjellja dhe karakteri i tij. Mos harroni, ai ka falimentuar gjashtë herë. Kjo nënkupton se ai nuk është thjeshtë një sipërmarrës i keq. Kjo do të thotë se ai ka mashtruar punonjësit e vegjël, që mbështeteshin tek ai për jetesë”, thotë Mitch Landrieu, bashkëkryetar i fushatës së dyshes demokrate Biden-Harris.
Zoti Trump i mohon këto akuza. Ai është zotuar se do ta apelojë vendimin.
Ndërsa zoti Biden po përgatitet për debatin e ardhshëm presidencial pas dyerve të mbyllura, republikani Trump vazhdoi fushatën gjatë fundjavës.
Ai foli në dy tubime, në Uashington dhe Filadelfia. Zoti Trump nuk e fshehu dëshirën e tij për të debatuar dhe herë pas here pyeste mbështetësit e tij se si duhet të sillet gjatë përballjes me presidentin Biden.
“A duhet të jem i ashpër dhe i pamëshirshëm dhe t’i them se ju jeni presidenti më i keq në histori, apo duhet të jem i sjellshëm, i qetë dhe ta lë të flasë?”, pyeti zoti Trump mbështetësit të cilët brohorisnin “i ashpër”.
Kandidati i pritshëm republikan për president u kujtoi votuesve gjatë tubimeve qëndrimin e tij ndaj emigrantëve pa dokumente.
“Në ditën e parë, do të fillojmë opreacionin më të madh të deportimit në historinë e Amerikës. Nuk kemi rrugë tjetër”, tha zoti Trump.
Presidenti Biden vendosi kufizime për numrin e azil-kërkuesve në kufirin jugor. Por ai gjithashtu njoftoi një plan javën e kaluar, që do t’u hapte rrugë drejt nënshtetësisë bashkëshortëve pa dokumente të qytetarëve amerikanë.
Në një intervistë për rrjetin NBC, bashkëkryetari i fushatës elektorale të presidentit Biden fajësoi zotin Trump dhe republikanët për status quo-në.
“Kufiri ka patur probleme gjatë 20, apo 30 viteve të fundit. Në ditën e parë, Joe Biden dërgoi në Kongres një propozim gjithëpërfshirës për reformën e emigracionit. Ata nuk bënë asgjë me të”, tha zoti Landrieu.
Përveç emigracionit, presidenti Biden dhe ish-presidenti Trump do të pyeten edhe për çështje të tjera me rëndësi në debatin e parë presidencial që organizohet nga rrjeti CNN më 27 qershor.
(Zëri i Amerikës)