Uashington, 28 prill 2021 – Shqipëria ka shënuar rënie të nvelit të demokracisë gjatë vitit 2020.
Në raportin e organizatës ndërkombëtare për demokracinë, Freedom Huese, ajo është vlerësuar me 3.75 pikë, ndërsa vitin e kaluar ishte vlerësuar me 3.82 pikë.
Sipas raportit, Shqipëria, e cila edhe këtë vit është renditur në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur.
Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, autor i kapitullit për Shqipërinë të raportit “Vendet në Tranzicion,ka thënë se niveli i demokracisë në Shqipëri në vitin 2020 është I njëjtë meatë të vitit 2013.
“Ajo që vërehet është që nota e përgjithshme e Shqipërisë, është në nivelin e notës që Shqipëria ka marrë në vitin 2013. Pra demokracia në Shqipëri është në të njëjtat nivele që Shqipëria ka pasur në vitin 2013, sipas së njëjtit raport të Freedom House”, ka thënë Vurmo, për Zërin e Amerikës.
Vlerësimi për shoqërinë civile ra nga 5 në 4.75 pikë.
“Ulja e notës i dedikohet një sërë akteve të cilat kanë kufizuar hapësirën në të cilën operon shoqëria civile, hapësirën e aksionit të shoqërisë civile me një sërë kufizimesh përsa i takon së drejtës së tubimit, madje edhe së drejtës për shprehje”, ka thënë Vurmo.
Më konkretisht rënia i atribuohet dhunës mes protestuesve dhe forcave të rendit në maj, gjatë acarimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për shkak të vrasjes së të riut Klodian Rasha nga forcat e policisë për shkak të thyerjes së kufizimeve të Covid-it.
Vlerësimi për gjendjen e pavarësisë së medias ra nga 3.75 në 3.50.
“Ka pasur edhe një përkeqësim në dimensionin e lirisë së medias, e cila për të disatin vit ka shënuar disa zhvillime shumë negative, por mesa duket vitin që shkoi, këto zhvillime u ndikuan edhe nga pandemia, edhe nga kufizime të tjera, por edhe nga hyrja në fuqi pjesërisht e paketës antishpifje, njëri prej dy ligjeve i cili hyri në fuqi, pavarësisht se nuk është materializuar konkretisht”, ka thënë Vurmo.
Ai ka kujtuar se ka pasur raste që gazetarët janë proceduar edhe penalisht, mbi baza të përhapjes së panikut.
“Ambienti i medias shqiptare, i cili ka qenë prej kohësh i dobësuar nga kontrolli oligarkik ashtu si në pjesën më të madhe të rajonit, është prekur gjithashtu nga përdorimi i shtuar i proceseve gjyqësore strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut”, thuhet në raport.
Përveç rënies në kategoritë e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3.25 dhe 2.75, i njëjti nivel si një vit më parë.
Raporti vë në dukje situatën e acaruar politike,korrupsionin dhe presionin e bizneseve ndaj qeverisë si probleme të vazhdueshme.
Por aty vlerësohen edhe hapat drejt reformës në drejtësi, megjithëse thuhet se ishin të ngadalta.
“Ne kemi evidentuar edhe zhvillime mjaft pozitive si ngritja e strukturave të reja të drejtësisë, apo edhe zhvillime të tjera në kuadër të disa dimensioneve, siç është edhe dimensioni i qeverisjes kombëtare”, ka thënë Vurmo.
Publikimi i raportit të këtij viti përkon me një kohë kur është bërë e qartë që Partia Socialiste në Shqipëri do të qeverisë edhe një mandat tjetër.
“Shumica aktuale ka bërë histori në këtë kuptim, ka marrë një mandat të tretë, madje ka marrë të dytin mandat radhazi, që nuk ka ndodhur më parë në historinë pluraliste të Shqipërisë, si parti e vetme”, ka thënë Vurmo.
Vlerësimi për ecurinë e tyre do të analizohet në raportet e ardhshme të Freedom House. Zoti Vurmo sheh si sfidë prirjet e përvijuaja qartë të forcimit të autoritarizmit që kërcënojnë haptazi dhe shumë seriozisht demokracinë shqiptare, institucionet dhe proceset demokratike dhe vetë shoqërinë shqiptare.
“Unë do të bëja thirrje për të gjithë aktorët politikë, por jo vetëm politikë, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare që ta lexojnë me vëmendje këtë raport, pasi është vërtet një kambanë alarmi për rreziqet që paraqesin disa zhvillime në disa fusha të raportit, për demokracinë në Shqipëri, po aq sa edhe për ofertën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe procese të tjera reformuese”, kathënë ai.
Sipas Vurmos, tani është një moment të cilin Shqipëria mund ta shfrytëzojë në maksimum.
“Që të futet në një cikël normal të sistemit politik, ku bashkëqeveriset në një fare mënyrë, në kuptimin që edhe opozita është pjesë shumë e rëndësishme e qeverisjes, pavarësisht se është maxhoranca ajo që drejton ekzekutivin. Por nga ana tjetër qeverisja në parlament parasheh edhe një rol thelbësor të opozitës parlamentare, po ashtu siç parasheh edhe një rol të theksuar të institucioneve të pavarura, të institucioneve që bëjnë kontrollin (oversight) të pushteteve të tjera”, ka thënë ai.
(r.m.)