Çështje të Emigracionit: Martesa me një nënshtetas amerikan

Avokati Kieran Both

Nga Kieran Both

Kam bërë celebrimin këtu, në Shqipëri. E fejuara ime është nënshtetase amerikane. A mund të marr një “vizë për të fejuarit” dhe të bëj dasmën në SHBA?

DS

Nuk del shumë qartë nga përmbajtja e letrës nëse jeni i martuar apo jeni i fejuar (dhe keni ndërmend të martoheni).  

Nëse jeni i martuar “ligjërisht” në Shqipëri, atëherë nuk konsideroheni më i/e fejuar, por konsideroheni “i afërm i ngushtë” i një personi nënshtetas amerikan dhe bashkëshorti/ja mund të paraqesë një peticion për bashkim familjar që të mund të merrni green card.  Një nënshtetase amerikane mbi 21 vjeç mund të paraqesë një formular I-130 (Petition for Alien Relative) për bashkëshortin e saj.  Ky lloj peticioni është një peticion që ka për bazë lidhjen familjare dhe paraqitet për një “të afërm të ngushtë”, gjë që do të thotë se për këtë lloj kërkese nuk egzistojnë kategori preferenciale.  Pra, nëse peticioni miratohet për të këtë lloj të afërmi të ngushtë (burrin, gruan, prindin ose fëmijën e mitur të pamartuar të një nënshtetasi amerikan) ky person i afërm nuk duhet të presë për numër vize, pra e merr menjëherë, sepse këto lloj vizash emigruese nuk kufizohen në numër nga ndonjë tavan. 

Nëse martoheni me të fejuarin jashtë SHBA-së dhe paraqisni dokumentat për bashkim familjar pasi ktheheni në SHBA, koha qe nevojitet për procesimin e peticionit I-130 varion në varësi të vendit ku është paraqitur peticioni. Në momentin që peticioni aprovohet, Qendra Kombëtare e Vizave e SHBA-së (NVC-ja) kontakton peticionerin dhe i kërkon të paguajë tarifat përkatëse për procesimin e vizës si dhe tarifën për formularin e garancisë financiare (Affidavit of Support). Pasi paguhen tarifat, NVC-ja i kërkon peticionerit të dërgojë formularët e aplikimit për vizë si dhe formularin e garancisë financiare (Affidavit of Support). Formulari i garancisë financiare I-864 (Affidavit of Support) shërben për të treguar që emigranti i ardhshëm i ka mundësitë dhe mbështetjen financiare të nevojshme dhe nuk ka të ngjarë të kthehet në barrë publike. Personi që mbush formularin në fjalë quhet sponsor. Sponsori vazhdon të mbetet i tillë derisa emigranti të bëhet nënshtetas amerikan, të punojë gjatë 40 tremujorëve të kualifikueshëm (10 vjet), të largohet nga SHBA-ja ose të vdesë. Përfituesi mund të deklarojë gjithashtu pasuritë e tij si provë se i ka mjetet e duhura financiare dhe se ai, si person që ka ndërmend të emigrojë në SHBA, nuk ka gjasa të kthehet në barrë publike. NVC-ja do t’i kërkojë gjithashtu peticionerit të paraqesë bashkë me aplikimin për vizë dhe dokumente personale përfshirë aty dhe dëshminë që përfituesi nuk ka precedentë penalë në Shqipëri.

Pasi të gjithë formularët e nevojshëm i janë paraqitur NVC-së, personi që përfiton nga peticioni do të kontaktohet në Shqipëri për t’u paraqitur për kontroll mjekësor dhe intervistë. Personit në fjalë do t’i bëhen pyetje rreth bashkëshortes dhe martesës për të konfirmuar që martesa nuk është e rreme dhe nuk është bërë për të përfituar status emigrues. Nëse intervista del me sukses, atëherë personit i jepet viza dhe së shpejti bëhet bashkimi familjar mes bashkëshortëve në SHBA.  

 

Nëse jeni i fejuar dhe po planifikoni të martoheni me të fejuarën tuaj në SHBA, duhet t’i paraqisni një kërkesë Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) në emrin tuaj. Ky aplikim  quhet Petition for Alien Fiancé (Formulari 1-129F). Që të kualifikoheni për të bërë kërkesë përmes formularit I-129F, duhet që të martoheni me të fejuarën brenda 90 ditëve nga hyrja e saj në SHBA. Gjithashtu duhet të dëshmoni se të dy jeni të lirë të martoheni dhe se jeni takuar personalisht brenda dy vjetëve nga paraqitja e formularit I-129F. Nëse nuk jeni takuar brenda dy viteve të fundit, duhet të jepni një shpjegim të hollësishëm si dhe dëshmi të vështirësive ekstreme ose praktikave zakonore, kulturore ose sociale që u bënë pengesë për takimin. Nëse keni fëmijë të pamartuar që janë nën moshën 21 vjeç, ata mund të përfshihen në formularin I-129F si dhe të kualifikohen për t’ju shoqëruar në SHBA. Duhet gjithashtu të paraqisni dëshmi se të dy ju e keni mbushur moshën ligjore për martesë në vendin ku keni në plan të martoheni. Nëse cilitdo prej jush i duhet të marrë pëlqim të veçantë (si pëlqimi i prindërve) për martesë, atëherë duhet të dorëzohet dhe dëshmia e pëlqimit ose lejes. Përveç kësaj, secili prej jush duhet të paraqesë një deklaratë origjinale dhe kopje të provave që vërtetojnë qëllimin tuaj të përbashkët. Si ju dhe e fejuara duhet të dorëzoni të firmosur formularin G-325A (formulari i të dhënave biografike) si dhe fotografi të formatit për pasaportë. Nëse ndonjëra palë ka qenë e martuar më parë, ajo duhet të paraqesë kopjet e dokumenteve që tregojnë se ajo martesë është zgjidhur me shkurorëzim. Përveç kësaj, nëse ndonjëra palë është dënuar për vepra të caktuara penale, ajo duhet të dorëzojë kopje të vërtetuara të të gjitha të dhënave të gjykatës dhe të policisë të cilat tregojnë akuzat dhe dispozitat për secilin nga dënimet. Kjo është e nevojshme edhe nëse çështjet janë vulosur. Nëse ndonjëra palë ka të kaluar penale, do t’ju sugjeroja fort që përpara dorëzimit  të formularit I-129F, të këshilloheni me një avokat me përvojë.

Kur aplikimi të miratohet, duhet të shkoni në ambasadën e SHBA-së për të marrë vizën. Intervista në ambasadë do të fokusohet tek lidhja juaj dhe synimi për t’u martuar me personin që ka paraqitur peticionin për bashkim familjar. Kjo është një intervistë e rëndësishme dhe të dy palët duhet të flasin paraprakisht lidhur me të kaluarën e përbashkët, për t’u siguruar që përpara intervistës, personi që do të intervistohet t’i ketë të qarta datat dhe të dhëna të tjera të rëndësishme të lidhjes. Këtu futen dita që u takuat për herë të parë; vendi ku takuat; personi ose personat që ju kanë prezantuar; vendet tuaja më të preferuara të takimeve, etj. Zyrtari konsullor mund të bëjë shumë pyetje, prandaj nevojitet një përgatitje e mirë.

Nëse aplikimi për vizë miratohet, do t’ju lejohet të hyni në SHBA me vizë K-1. Martesa duhet të kryhet brenda 90 ditëve nga dita që ajo ka ardhur/hyrë në SHBA. Nëse martesa nuk ndodh brenda 90 ditëve, ose martoheni me dikë tjetër, do t’ju kërkohet të largoheni nga SHBA-ja. Deri në momentin që bëhet martesa, USCIS-i ju konsideron jo-imigrant (dmth vizitor të përkohshëm që ka ardhur këtu për një qëllim të caktuar). Gjithashtu, nuk ju lejohet të kërkoni një shtyrje të lejes së qëndrimit 90 ditor në SHBA. Jo vetëm kaq, por nuk mund të hyni më shumë se një herë me vizë K-1 në SHBA. Nëse largoheni nga SHBA-ja përpara se të martoheni, mund të mos ju lejohet të ktheheni në SHBA pa marrë më parë një vizë tjetër. Një person me vizë K-1 është i autorizuar të punojë sipas 8 C.F.R. §274a.12 (a) (6).

Pasi të martoheni, mund të aplikoni për të marrë green card gjithnjë nëse keni ndërmend të jetoni dhe të punoni përgjithmonë në SHBA. Nëse nuk keni ndërmend të qëndroni përgjithnjë në SHBA, duhet të largoheni nga SHBA-ja brenda periudhës 90 ditore që përmendëm më lart. Nëse miratohet kërkesa për green card, si fillim do t’ju jepet statusi i rezidencës së përhershme me kusht, për një periudhë dyvjeçare. Ky status i jepet personave të cilët kanë qenë të martuar për më pak se dy vjet në kohën aprovimit të kërkesës për green card. Kërkesa për heqjen e statusit me kusht (Formulari I-751 i USCIS-it) duhet dorëzuar brenda 90 ditëve përpara dyvjetorit të mbarimit të statusit me kusht (green card-ës me kusht). Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dëshmi se martesa është e vlefshme, të tilla si prova bashkëpronësie, qira apartamenti në emër të të dyve, financa të përbashkëta, pagesa të përbashkëta të taksave, certifikata lindjeje të fëmijëve, deklarata nga persona të tjerë dhe ndonjë dokumentacion tjetër. Nëse burri dhe gruaja nuk janë në gjendje të paraqesin kërkesën së bashku për arsye të tilla si vdekja e njërit prej bashkëshortëve apo zgjidhja e martesës, ka procedura që i lejojnë bashkëshortit/es të aplikojë më vete. U bëjmë thirrje lexuesve tanë të flasin për këto çështje me një avokat me përvojë në fushën e emigracionit.

Ka shumë çështje të tjera që lidhen me martesën për të cilat aplikantët e ardhshëm mund të kenë nevojë të dinë.  Këto çështje do të trajtohen në pjesët e ardhshme të kësaj rubrike. Nëse lexuesit tanë duan të mësojnë më shumë rreth vizave për të fejuarit dhe green card-ave, u lutemi të shkojnë në faqen e internetit të USCIS në adresën www.uscis.gov

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falënderojmë për komentet dhe pyetjet tuaja të vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’u japim përgjigje sa më shumë prej tyre, në të ardhmen. Ju inkurajojmë të bëni pyetje dhe komente. Ju ftojmë që pyetjet që ju lindin t’i bëni përmes e-mail-it në adresën elektronike [email protected]