Beograd, 29 qershor 2024 – Një person është arrestuar në Beograd nën dyshimet se ka ofruar “mbështetje logjistike” për sulmin ndaj një pjesëtari të Xhandarmërisë serbe pranë Ambasadës izraelite në Serbi, bëri të ditur zëvendëskryeministri, njëherësh ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.
“Bëhet fjalë për Igor Despotoviq nga Beogradi, i lindur në vitin 1999, i cili ishte arrestuar dy vjet më parë për shkak se ishte administrator i disa grupeve militante në internet që bënin thirrje për xhihad”, tha Daçiq përmes një njoftimi për media në lidhje me arrestimin e kryer në kryeqytetin serb.
Në njoftimin për media të MPB-së serbe thuhet se i arrestuari ka komunikuar çdo ditë me sulmuesin e vrarë, që sulmoi një pjesëtar të Xhandarmërisë serbe pranë Ambasadës izraelite dhe se për këtë arsye dyshohet se ka marrë pjesë “në mbështetjen logjistike dhe organizimin e këtij akti terrorist”.
Më herët, Daçiq po ashtu tha se sulmuesi i vrarë ishte nga qyteti Mlladenovac.
“Është konstatuar se personi që ka kryer sulmin terrorist është Millosh Zhujoviq [1999], emri fetar Salahudin, i konvertuar, nga Mlladenovaci, i cili është shpërngulur për të jetuar në Novi Pazar”, thuhet në deklaratën e MPB-së së Serbisë.
Daçiq tha gjithashtu se sulmi u karakterizua si një akt terrorist “i drejtuar kundër shtetit të Serbisë ashtu edhe kundër pjesëtarëve të Xhandarmërisë”.
Autoritetet thanë se sulmi ndodhi rreth orës 11:00 të 29 qershorit, një person qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë. Autoritetet thanë se pjesëtari i Xhandarmërisë ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.
Gjatë adresimit para mediave më herët gjatë ditës, Daçiq tha se pjesëtarët e Xhandarmërisë serbe rregullisht ruajnë ambasadat, ndërkaq ambasadorëve iu ofrohet një njësi e posaçme e Ministrisë së Mbrojtjes.
Duke dhënë detaje për sulmin, ai tha se sulmuesi iu afrua policit në disa raste, duke e pyetur për një muze dhe gjëra të tjera dhe xhandari i ishte përgjigjur se nuk kishte muze në atë zonë.
“Dhe më pas ky person i panjohur u kthye, hapi derën e ambasadës, duke bartur një çantë nga e cila nxori harkun dhe e qëlloi xhandarin me shigjetë në qafë”, tha Daçiq.
Ai shtoi se sipas informacioneve që ka, polici reagoi menjëherë, nxori armën dhe e qëlloi sulmuesin.
“Ai e qëlloi sulmuesin disa herë dhe pas gjysmë ore ai vdiq”, tha Daçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraprakisht deklaroi se edhe disa persona janë në kërkim pas sulmit.
Vuçiq ka shtuar se “një person nuk është kapur”, por se dihet se ai ndodhet në territorin e Serbisë.
“Ai udhëhiqej nga të njëjtat parime si Salahudini. Ata janë përcjellur dhe pas shtatë apo tetë ditësh do të arrestoheshin, kaq i është dashur prokurorit për të mbledhur të gjitha provat, por është e qartë se ata filluan më herët”, tha Vuçiq pasi kishte vizituar xhandarin e lënduar në Qendrën Emergjente.
Ai theksoi se secili ka të drejtë të zgjedhë fenë e tij, por se autorët e këtij sulmi iu bashkuan qarqeve ekstremiste.
Vuçiq tha gjithashtu se operacioni i xhandarit të sulmuar Millosh Jevremoviq ishte i suksesshëm dhe se ai është në “gjendje shumë të mirë”.
Autoritetet serbe kanë njoftuar se aksion policor është duke u kryer edhe në Novi Pazar, ku po kryhen kontrolle në lokacione që besohet se kanë lidhje me sulmin.
Novi Pazari është komunë në Serbi, e banuar me shumë boshnjake.
Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se prokurori i rastit ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për trupin e sulmuesit. Kjo zyrë tha po ashtu se polici ka gjuajtur në vetëmbrojtje.
Daçiq ka diskutuar lidhur me sulmin me ambasadorin e Izraelit në Serbi, Jahel Vilan.
“Në një bisedë telefonike me ambasadorin Vilan, ministri Daçiq ka thënë se sipas informacioneve fillestare, me shumë gjasa sulmuesi është shtetas i Serbisë, pjesëtar i lëvizjes vehabiste”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Serbisë.
Po ashtu Serbia ka ngritur nivelin e sigurisë nga kërcënimet terroriste në nivel të kuq. Kjo nënkupton se do të ketë një prani të shtuar të policisë jo vetëm në ambasada, rezidenca, institucione, por edhe në vende si qendrat tregtare.
Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.