Euro 2024: Zvicra e kthen në shtëpi kampionen e Evropës, Italinë

Berlin, 29 qershor – Zvicra e eleminoi Italinë, në ndeshjen e parë të fazes eleminatore të kampionatin evropian të futbollit që po mbahet në Gjermani.

Përfaqësuesja e Zvicrës e mundi përfaqësuesen e Italisë me dy gola. Të parin e shënoi Freuller, pas një aksioni të organizuar mirë para portës së portierit Italian, Donaruma, ndërsa të dytin e shënoi Vargas, me një gjuatje precize nga cepi i djathtë i 16 metërshit të italianëve.

Zviceranët dominuan në të gjitha elementet e lojës: me posedim të topit, me pasime të sakta, me kombinime të sakta dhe me depërtime të rrezikshme në fazën e sulmit. Ata krijuan raste edhe për së paku dy gola të tjerë.

Italianët ishin inferiorë në të tria fazat e lojës: në mbrojtje, në mesfushë dhe në sulm. Portën e zviceranit Sommer e rrezikuan vetëm një herë. Ishin të ngadalshëm, të paorganizuar, të plogësht. Thjeshtë, ishin të pafuqishëm.

Të gjithë lojtarët e Zvicrës, të udhëhequr nga kapiteni e lideri i ekipit, Granit Xhaka, morën vlerësimet më të larta nga ekspertët e futbollit. Vetëm qendërsulmuesi Embolo u vlerësua më pak, sepse I shpëdoroi dy-tri raste të mira për të shënuar gola. Vlerësime shumë të larta mori edhe trajneri I Zvicrës, Murat Jakin.

Ndërkaq, lojtarët e Italisë, me përjashtim të dy prej tyre, morën vlerësime shumë të ulëta. Vlerësime të ulëta mori edhe trajneri i tyre, Luçiano Spaleti, i cili nuk arriti të krijonte një ekip konkurrues në Euro 2024 nga ekipi i shpërfytyruar i kampionatit të kaluar evropian, në të cilin e pati fituar titullin e Kampionit të Evropës.

Me lojën e sotme, Zvicra dëshmoi se është në mesin e ekipeve më të mira të këtij kampionati, Sigurisht, ajo është konkurrente serioze edhe për titullin e Kamionit të Evropës.

(r.m.)