Fotografi Naun Vruho dhe kisha e “Shën Mërisë  së ujrave”

Qerim Vrioni

Naum Vruho

Një nga fotografët më të hershëm që ka vepruar në Berat e, më saktë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, është edhe Naun Vruho (1913-1988). Ai rridhte nga familja e njohur atdhetare Vruho nga fshati Vërtop, nga e cila më i dëgjuari ishte publicisti dhe atdhetari Jani Vruho (Vërtop, 1863 – Egjipt, 1931). Deri tani pak të dhëna njihen për jetën e kushëririt të tij, fotografit Naun Vruho. Ende nuk dihet ku e mësoi fotografimin dhe ku e praktikoi për herë të parë, veçse mësohet se ai ishte nga nxënësit e parë të shkollës profesionale italiane të Beratit. Me njohuritë e përfituar nga shkolla, ai ka punuar për disa kohë si teknik i makinave qepëse jo vetëm në Berat, por edhe në Vlorë dhe Fier.

Në ditët e sotme kanë mbërritur disa peizazhe fotografike të Beratit dhe rrethinave, përpos fotove për komunitetin e qytetit dhe fshatrave të tij.  Një pjesë e peizazheve të Vruhos janë shtypur në Itali si kartolina me shënimin pas “Foto Naun Vruho-Berat. Kartoleria Kozma F. Cici. Alterocca-Terni XIX”. Nga numri në fund të shënimit me shifra romake XIX, mendojmë se fotot e Naun Vruhos janë shtypur si kartolina në vitin 1941 (Nga fundi i viteve ’30, Në Itali, në shtyp dhe dokumenta në fund të vitit kalendarik ose në vend të tij, shtohej edhe numri i viteve në pushtet të diktatorit Mussolini me shifra romake).

 Aparati fotografik me të cilin filloi shkrepjet Naun Vruho ishte një “Ferrania” me filma celuloidi 6×9. Nuk kemi të dhëna (deri tani) që të tregojnë nëse Vruho ka pasur ose jo studio vetjake në qytet, por vështirë të besohet se ai i lante filmat dhe stamponte fotografitë e tij në studio të tjera. Në veprimtarinë e tij si fotograf ai do të nëpërkalonte brenda objektivit të aparatit të tij edhe simbolet e veçantë vendore të qytetit, të cilat i kanë dhënë gjithmonë Beratit një status të epërm. Këto simbole janë natyrore, si Mali i Tomorit dhe i Shpiragut, lumi Osum, kodra ku është ndërtuar Kalaja dhe kodra mbi Goricë, si dhe ato të dorës së njeriut. Në këto të dytat hyjnë Kalaja me kishat e shumta të saj, lagjet Mangalem e Goricë dhe Ura e saj, Kulla e Sahatit në lagjen Murat Çelepi, xhamitë dhe tyrbet e qytetit etj. Pra, më ndryshe, ai ka përngrirë në celuloid, mandej në letër, peizazhe natyrore dhe urbane.

Një nga fotot më të goditura të grupi të dytë, mendoj se është ajo ku duket Ura e Goricës, kisha “Shën Mëria e Ujrave”, lumi Osum dhe rruga që lidhte dy pjesët kryesore të qytetit. Këtë emër kisha, me shumë gjasa, e ka marrë nga afërsia e saj me ujrat e lumit Osum, me të cilin e ndante vetëm rruga automobilistike e asaj kohe, rreth 3-4 metra e gjerë. E veçantë ishte dhe çatia e kishës, e cila kishte tre tambure dhe katër frontone në pjesën e përparme të saj. Ajo ishte ndërtuar poshtë pikës më të lartë të Kalasë. Fatkeqësisht, kjo kishë, me histori për qytetin, u prish (u dogj) në vitin 1940 në kohën e L2B, nga ushtria italiane për të zgjeruar rrugën përmes të cilës automjetet e saj të shkonin në bazën ushtarake të Uznovës gjatë Luftës Italo-greke.

 “Shën Maria e Ujrave” ishte kishë e lagjes Mangalem dhe një nga katër më të mëdhatë e qytetit të Beratit.  Sipas disa të dhënave, kjo kishë është ndërtuar nga fundi i shekullit XVII, por u dogj në vitin 1800, ndërsa në vitin 1808, ajo u ngrit sërish siç ishte para prishjes në vitin 1940. Kishën e ka pikturuar me shumë elegancë në tri skica anglezi Eduard Lear (1812-1888) në vitin 1848, mandej e ka fotografuar hungarezi Hugo Adolf Bernacik (1929) dhe italianët e Institutit “Luce”. Gjithashtu, kishën e kanë fotografuar edhe mjeshtrat vendas të aparatit si Ymer Bali (të përfshirë në albumin “10 vjet Mbretni”, 1928), Irfan Ago (Berat, 1935), dhe bashkëqytetarët e të fundit, Ilia Xhimitiku dhe Naun Vruho në vitet ‘30-‘40. Fotografët, përgjithësisht synonin që shkrepjet e tyre fotografike të ishin të tilla që mund të ktheheshin në kartolina të pëlqyeshme postare për publikun e gjerë. Ajo që i ka tërhequr të gjithë këta, ka qënë forma e veçantë arkitektonike e kishës, pa përjashtuar pozicionin e saj buzë lumit, por  edhe historinë e saj mbi 150 vjeçare.  

Kthehemi tek fotoja e Vruhos. Pothuaj diagonalisht me katërkëndshin e imazhit paraqitet Ura e Goricës, e cila formon në foto një kënd të ngushtë me rrugën buzë lumit Osum, pranë së cilës ndodhet kisha e “Shën Mërisë së Ujrave”. Siç kuptohet nga hijet, fotoja është realizuar pak pas mesditës, kur dielli i fortë i ka dhënë këmbëve të urës ndriçim të veçantë dhe hijeshi imazhit, përpos anës elegante grafike të harqeve mbajtës të saj. Vruho e ka fotografuar këtë kishë nga pika të ndryshme. Të veçanta janë dy foto të saj: njëra nga qëndra e qytetit, tjetra edhe më panoramike, nga kodra mbi lagjen Goricë, për të cilën u ndalëm më sipër.

Duke vërejtur fotot e Vruhos që kemi në përdorim, kuptojmë se ai ka shkelur me pëllëmbë rrethinat e afërta të Beratit për të gjetur pikat më të përshtatshme për fotografim. Madje, për disa objekte si p.sh. ura e Goricës, ai ka zgjedhur pika të afërta dhe të largëta, por gjithmonë nga të katër anët e horizontit. Kjo praktikë shihet edhe për simbole të tjera si Kalaja, lagjia Goricë, ajo Mangalem etj.

Midis këtyre në fotot e tij shihen edhe shumë objekte të cilat sot nuk janë në këmbë, pra janë prishur e shkatërruar, pavarësisht vlerave që ngërthenin në ato kohë dhe që me siguri do ishin edhe më të mëdha në ditët që jetojmë. Kjo kishë, hyn në grupin e atyre objekteve, kulturore, shoqërore, qytetare e fetare me vlera për historinë e kombit, të zhdukura (prishura) në vendin tonë gjatë shumë viteve dhe që emërtohet shpesh në publicistikë si “Shqipëria e humbur”. Për hir të së vërtetës, një pjesë e këtyre objekteve janë prishur nga të huajt, por një pjesë tjetër nga vetë shqiptarët, fakt që ngjall edhe më shumë keqardhje sot. Sidoqoftë dëshirojmë që “Shqipëria e humbuar” të mos zmadhohet më tej.       

            Në grupin e fotove të Vruhos që kemi përpara, ndeshim edhe shkrepje që pasqyrojnë ngjarje apo veprimtari të ndryshme shoqërore dhe sportive të zhvilluara ato kohë në qytetin e Beratit. Sigurisht, numri i fotove që kemi para syve është shumë larg atyre që ka realizuar në të vërtetë Naun Vruho, sepse një pjesë ka humbur, ndërsa disa të tjera ndodhen në duar njerëzish që nuk u dijnë vlerën e tyre dokumentare, historike, pse jo edhe artistike.     Gjithsesi, edhe me kaq pak foto që janë nën vështrimin e dashamirëve të fotografisë, mendoj se, Naun Vruho, ia vlen të përmendet në historinë e fotografisë shqiptare, qoftë edhe si një nga mjeshtrat e paktë të qytetit të Beratit.

Botuar fillimisht nga Gazeta “ExLibris”, 29 qershor 2024