Vjenë, 30 qershor 2024 – Kryeministri hungarez, Viktor Orban, shpalli të dielën një aleancë të re me Partinë e Lirisë të ekstremit të djathtë të Austrisë dhe partinë kryesore opozitare çeke, me shpresën për të tërhequr partnerë të tjerë dhe të shndërrohet në grupin më të madh të krahut të djathtë në Parlamentin Evropian.
Kryeministri Orban shkoi në Vjenë për të prezantuar aleancën “Patriotët për Evropën” të partisë së tij Fidesz me Partinë e Lirisë dhe partinë ANO të ish-kryeministrit çek Andrej Babish, një ditë përpara se Hungaria të marr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.
Zgjedhjet e Parlamentit Evropian, në fillim të qershorit, forcuan partitë e së djathtës në përgjithësi, megjithëse rezultatet e tyre ndryshonin nga vendi në vend, por lanë paqartësi rreth asaj se deri në çfarë mase do të arrinin të punonin së bashku. Deri më tani, ato janë shpërndarë në dy grupe në përbërjen e re të Parlamentit Evropian, me një numër syresh të paangazhuara.
Vitet e fundit, kryeministri Orban duket se i shijon mundësitë për të bllokuar, zbutur ose vonuar vendimet thelbësore të BE-së, duke u pozicionuar zakonshëm kundër shumicës së udhëheqësve të tjerë për çështje si lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën dhe përpjekjet për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kundërshtimi i tij publik ndaj politikave dhe qëndrimeve të BE-së ka zhgënjyer prej kohësh qeveritë e tjera në bllok.
“Janë tre gjëra që duan evropianët: paqja, rendi dhe zhvillimi”, tha kryeministri Orban përmes një përkthyesi në ngjarjen e së dielës. “Dhe ajo që ata po marrin nga elita në Bruksel sot, është lufta, migrimi dhe ngecja”, tha ai.
“Synimi ynë është, dhe ne besojmë se kjo do të ndodhë, që brenda një kohe të shkurtër, ky të jetë grupi më i fortë i krahut të djathtë në Parlamentin Evropian”, tha kryeministri Orban.
Treshja do të duhet të tërheqë ligjvënës nga të paktën katër vende të tjera të BE-së për të formuar me sukses një grup në parlamentin e ri.
Udhëheqësi i Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, vuri në dukje se Parlamenti i ri Evropian do të mblidhet për herë të parë në Strasburg me 16 korrik. Ai tha se “duke filluar që tani… të gjitha forcat politike që duan të bashkohen në përpjekjen tonë politike dhe pozitive për reforma janë shumë të mirëpritura”.
Ai shtoi se “nga ajo që kam dëgjuar ditët e fundit … do të ketë më shumë prej tyre sesa disa prej jush ndoshta dyshoni”. Ai nuk përmendi asnjë partner të mundshëm dhe tre udhëheqësit nuk pranuan t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve në këtë subjekt.
Partia e Lirisë doli e para me rezultat të ngushtë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe shpreson të fitojë zgjedhjet kombëtare në Austri, që mbahen me 29 shtator.
Një “manifest patriotik për një të ardhme evropiane” i nënshkruar nga tre udhëheqësit e partive, u kundërvihet planeve të supozuara për “një shtet qendror evropian” dhe zotohet “t’i japë përparësi sovranitetit mbi federalizmin, lirisë mbi diktatet dhe paqes”.
(Zëri i Amerikës)