Ndahet nga jeta kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare

Tiranë, 1 korrik 2024 – Është ndarë nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe ka ndërruar jetë sot (e hënë, 1 korrik), në orër e hershme të mëngjesit, në moshën 88-vjeçare.

Njoftohet se Kadare ka qenë në banesën e tij, në Tiranë, kur papritmas është shembur në tokë pa ndjenja. Mjekët e urgjencës nuk kanë mundur të bënin asgjë. Burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë thanë se ai kishte pësuar një arrest kardio-respirator.

Ismail Kadare ishte figura qendrore e letërsisë dhe kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte protagonist i veçantë zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku e kreu shkollën e mesme. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Studimet e larta i kreu në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë.

Në fillim të veprimtarisë letrare shkroi kryesisht poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976).

Me emrin e tij lidhen fillet e krijiimtarisë të krijuesve të “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë të re në letërsinë shqipe, si edhe në kulturën kombëtare.

Krijimtaria e tij letrare, sidomos në prozë, shënon fillet e prozës shqipe modern, të çliruar nga skemat e realizmit socialist, jashtë kornizave të letërsisë së veshur me petkun e ideologjisë komuniste. Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), ishte një pikë kthese në prozën moderne shqiptare.

Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori të qëndresës, por si histori të mbijetesës së identitetit shqiptar.

Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) është shprehje e nevojës së Kadaresë për të dale jashtë kornizave të realizmit socialist. Ai e shpreh këtë në mënyrë alegorike, përmes përshkrimit të detajuar të mënyrës së veprimit të aparatit shtetëror të vënë në shërbim të udhëheqësit.

Romanet “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi” vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes.

Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) sjell në kujtesë baladën e besës, si simbol i ringjalljen e rilindjen, njësoj si te baladat që shenjojnë humanizmin e Rilindjes Europiane.

Romani i dytë i Kadaresë “Kronikë në gur” (1971) e trajton luftën antifashiste nga këndvështrimi i një fëmije naiv, ku drama shfaqet si një lojë, si në një teatër. Ndërkaq, romani “Kështjella” e trajton temën e reziastencës në të gjitha dimensionet e saj. Kritikët kanë thënë se në këtë roman kulti i heroit kolektiv ngritet mbi kultin e heroit individual.  

Romanet e Kadaresë me temë nga historia, e trajtojnë të shkuarën si motiv për të sotmen. Nocioni i rezistencës trajtohet në trajta nga më të ndryshmet: kështjellë (“Kështjella”), kullë ngujimi (Prilli I thyer”), piramidë (“Piramida) etj.  

Kadareja e trajton kapërcimin e situatave dhe gjendjeve përmes figures së urës (“Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” dhe “Kushëriri i engjëjve”).

Romanet “Dimri i madh” (1977) dhe “Koncert në fund të dimrit”(1987) janë ndër veprat e pakta të Kadaresë që trajtojnë ngjarje apo periudha të caktuara të historisë. Në të parin trajtohet konflikti me rusët, ndërsa në të dyrtib trajtohet konflikti me kinezët.

Edhe krijimtaria e Kadaresë pas rënies së komunizmit i ka tiparet kryesore të krijimtarisë së tij të periudhës së komunzimit, veçse ato tani shfaqen në forma e trajta konkrete. Herë-herë ato përcillen te lexuesit edhe si testament për të ardhmen.

Kadare kryesisht ka shmangur paraqitjen e pikëpamjeve të tij për zhviollimet politike në hapësirën etnike shqiptare. Vetëm në raste të veçanta, si në rastin e Kosovës, është angazhuar politikisht, duke përcjellë një mesazh të qartë kundër izolimit.

Në vitin 1998, kur nisi lufta në Kosovë, ai e botoi librin “Tri ditë zie për Kosovën”. Në këtë libër ai rrëfen për Betejën e Kosovës të vitit 1389, midis forcave të bashkuara të mbretërive ballkanike  kundër Perandorisë Osmane. Aty ai e rrëzon mitin serb për Kosovën.

Veprat e Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Është laureat i shumë çmimeve të rëndësishme letrare, kombëtare e ndërkombëtare, si: “International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Award”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”, etj.

Kadare ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike, anëtar i jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Z.

Vitin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, e nderoi me titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.

Në Shqipëri dhe në Kosovë ishte nderuar me dekoratat më të larta shtetërore.

(r.m.)