Tiranë, 1 korrik 2024 – Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), në nekrologun për Ismail Kadarenë, e rendit gjeniun e letrave shqipe si “një figurë identiteti për popullin shqiptar”, duke e renditur krahas Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, Ismail Qemalit e Nënës Terezë.
“Ismail Kadare është dhe do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore”, thuhet në nekrologun e ASHSH.
Nekrologu i plotë:
Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi; fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (“International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Award”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet; shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që e mbushi me kuptim dhe e lartësoi këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe.
Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime e ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.
Ismail Kadare është tashmë një figurë identiteti për popullin shqiptar, krahas figurave të tilla si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza. Largimi fizik i tij është pa dyshim humbja më e madhe e letërsisë shqipe; është një humbje e madhe e letërsisë europiane dhe të asaj botërore; humbje e rëndë për akademizmin shqiptar e europian. Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore. Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.
Ismail Kadare është bërë pjesë e vetëdijes qytetare dhe morale të popullit shqiptar, program njohjeje për të huajt të botës së tij, përurues i vlerave më të larta krijuese të vendit të tij. Ai është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë, të letërsisë dhe gjuhës shqipe, të botës shqiptare, dhe është bërë pjesë cilësore në trashëgiminë e letërsisë botërore.
Për dekada me radhë vepra e Kadaresë ishte burim informacionin për Botën lidhur me realitetin shqiptar krejt të mbyllur. Sot kjo vepër shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja. Njohës dhe interpretues i miteve dhe kodeve tradicionale, njohës i vlerave europiane po aq sa dhe i kufizimeve në të kuptuarit e njeriut shqiptar, ai dekodifikoi dhe i shërbeu “lexuesit tjetër” nyjat më të ndërlikuara të së shkuarës dhe së sotmes së popullit të vet. Shkroi në kushtet e kufizimeve të rrepta ideologjike, u bë dritare për të parë dhe program për të lexuar Perëndimin dhe për t’u njohur prej tij; u dha liri njerëzve kur nuk kishte liri; i provoi të gjitha fazat e raporteve kritike me pushtetet, prej entuziazmit e besimit futurist tek dyshimi, prej dyshimit tek kontestimi, prej kontestimit në refuzim e prej refuzimit në disidencë letrare, duke shkruar letërsi normale në kushte historike jonormale.
Letërsia e I. Kadaresë e ka ndërkombëtarizuar kulturën shqiptare në shkallë europiane e botërore. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.
Vepra e Kadaresë prej vitesh dhe në vazhdimësi nderohet me çmimet më të larta që jepen për merita letrare, duke u dalluar në rang botëror edhe kundrejt veprave të shkruara në kushte lirie. Ai ka fituar “garën” me shkrimtarët homologë në Botë, me letërsinë e shkruar në demokraci. Për këtë vepër fjalën e fundit e kanë thënë dhe e thonë lexuesit e kësaj vepre, që gjenden tashmë në të gjitha kontinentet, duke u shtuar vazhdimisht bashkë me shtimin e gjuhëve të përkthimit. Vepra e Kadaresë renditet tashmë krahas kryeveprave të pavdekshme të letërsisë botërore, që nuk njohin epokë, por bëjnë epokë.
Ismail Kadare është dhe do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.
Letërsia e Kadaresë do të lexohet e vlerësohet në vazhdimësi, pasi mesazhet e veprës që ka krijuar, fuqia e fjalës dhe e mendimit të tij, e bëjnë këtë vepër gjithnjë të kohës dhe tërheqëse për lexuesit e saj.
Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e saj, krahas vendit që ai ka zënë me plot meritë në shumë akademi dhe universitete brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me titullin akademik “doctor honoris causa”.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Helenës dhe dy vajzave, Gresës e Besianës; lexuesve e studiuesve të panumërt të veprës së tij, bashkësisë akademike e botës universitare, përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë, miqve, admiruesve dhe simpatizantëve të veprës së tij.
Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.
Pusho në paqe miku ynë!
(r.m.)