Viktor Orban vizitoi pa paralajmërim Ukrainën, për herë të parë prej fillimit të luftës

Kiev, 2 korrik 2024 – Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, zhvilloi bisedime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Kiev, më 2 korrik.

Orban udhëtoi në Ukrainë për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, në shkurt të vitit 2022.

Udhëtimi u realizua një ditë pasi Hungaria mori presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

Udhëtimi mori vëmendje të madhe, për shkak të kritikave të zëshme dhe të vazhdueshme të Orbanit për ndihmën ushtarake që Perëndimi i dërgon Kievit.

Orban është, gjithashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka dhënë urdhër për pushtimin e vendit fqinj.

Detaje nga bisedimet nuk dhanë as zyrtarët ukrainas, as ata hungarezë.

Një këshilltar i Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se “është bërë shumë [për t’u përgatitur] për këtë vizitë”.

“Një bisedë e rëndësishme për të ardhmen e Evropës, sigurinë, ligjin ndërkombëtar, një formulë për paqen”, shkroi ai në një postim në Telegram.

Vizita u realizua vetëm disa ditë pasi Orban dhe Zelensky u takuan në një samit të BE-së në Bruksel.

“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, shkroi zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovacs, në X.

Ambasadori amerikan në Budapest, David Pressman, tha se e mirëpret vizitën e Orbanit në Kiev.

Prej se Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Orban u dallua në mesin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për hezitimin e tij për të nënshkruar paketa të ndihmës për Ukrainën.

Dhjetorin e kaluar, ai u largua nga një takim i liderëve të Bashkimit Evropian për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

BE-ja, muajin e kaluar, i nisi këto bisedime me vendin në luftë.

(Radio Evropa e Lirë)