Bruksel, 3 korrik 2024 – Aleatët e NATO-s janë pajtuar t’ia japin Ukrainës 40 miliardë euro ndihmë ushtarake për vitin e ardhshëm, raportuan mediat të mërkurën.
Diplomatët kanë thënë për Reuters dhe agjencinë gjermane të lajmeve, DPA, se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u kishte kërkuar aleatëve që para samitit të muajit të ardhshëm në Uashington të zotoheshin për ndihmë vjetore prej 40 miliardë eurove për disa vite për Ukrainën, por vendet anëtare nuk e mbështetën kërkesën e tij.
Megjithatë, ato u pajtuan që marrëveshja të përfshijë një provizion për rivlerësimin e kontributeve të aleatëve në samitet e ardhshme të NATO-s, sipas një burimi diplomatik.
Aleatët vendosën gjithashtu për dy raporte gjatë vitit të ardhshëm për të parë se si e furnizojnë Ukrainën vendet anëtare, në mënyrë që të plotësohen kushtet për më shumë transparencë për ndarjen e barrës në aleancë, sipas burimit.
(Radio Evropa e Lirë)