Në Shqipëri, arrestohen ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe katër të tjerë

Tiranë, 4 korrik 2024 – Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, dhe katër persona të tjerë janë arrestuar të enjten në mëngjes, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Beqaj është arrestuar për abuzime me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj dhe Programet e BE-së (SASPAC) ku ishte ngritur një skemë korrupsioni dhe pastrami parash. Përmes saj lëshoheshin fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas regjistroheshin si shpenzime.

Përveç Beqajt, lidhur me këtë çështje janë arrestuar edhe katër të dyshuar të tjerë: Ermal Kurtulaj, i cili njihej si “financieri” i Beqajt, Albert Nikolla, ish-zëvendës ministër i Shëndetësisë, Gazmend Haxhia dhe Elton Marini.

Beqajt, Kurtalajt dhe Nikollës u është caktuar masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa Haxhiajt e Marinit u është caktuar masa e sigurisë arrest në shtëpi.

Ilir Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ministër i Shëndetësisë ka qenë nga viti 2013 deri në vitin 2017, në mandatin e parë të qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.

Në vitin 2021, ai ishte emëruar në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, ndonëse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë.

Në muajin dhjetot, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kreu një seri bastisjesh të banesave, bizneseve e automjeteve, si edhe kontrollesh të tetë të dyshuarve lidhur me këtëçështje, përfshirë ish-ministrin Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.

Përveç hetimeve për abuzimit me fondet e SASPAC, Ilir Beqaj është nën akuzë edhe për shpërdorim detyre për kontratën 10-vjeçare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Vitin e kaluar, atij iu caktuan masat e sigurisë “detyrim paraqitje” në polici dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Hetimet për këtë çështje janë mbyllur më 18 mars të këtij viti, me ngritjen e  aktakuzës ndaj tetë të dyshuarve të tjerë, përfshirë edhe zëvendësministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Këta dy të fundit ndodhen në paraburgim.

Ata akuzohen për shkelje gjatë procesit të koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë eurosh, të fituar nga biznesmeni Rrapaj.

(r.m.)