“Ferrari” me vlerë 250 mijë euro sekuestrohet në Prishtinë

Prishtinë, 4 korrik 2024 – Një automjet “Ferrari 499 GTB” në vlerë prej rreth 250 mijë eurosh është sekuestruar të enjten nga zyrtarët doganorë në Prishtinë.

Dogana e Kosovës njoftoi se automjeti i sekuestruar është i regjistruar jashtë vendit.

“Sot, oficerët e antikontrabandës të Doganës së Kosovës, gjatë një patrullimi në periferi të Prishtinës, kanë sekuestruar një automjet të regjistruar jashtë vendit.

Oficerët doganorë, pas ndalimit të automjetit, kanë kuptuar se personi që ishte në posedim të automjetit është banor i Kosovës, i cili ka vepruar në kundërshtim të normave të Kodit Doganor dhe Akcizave që rregullojnë administrimin e automjeteve të regjistruara jashtë vendit. Si rezultat, oficerët sekuestruan automjetin për të nisur procedurat relevante administrative kundër poseduesit. Automjeti i sekuestruar është një ‘Ferrari’ 499 GTB, me një vlerë të tregut të vlerësuar rreth 250,000 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Sipas dispozitave ligjore, automjetet e regjistruara jashtë vendit me targa të rregullta lejohen në Kosovë vetëm nëse përdoren nga pronarët e tyre të ligjshëm, gjatë qëndrimeve të përkohshme.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të posedojnë ose të përdorin automjete të regjistruara jashtë vendit në këto rrethana”, thuhet në njoftimin e Doganës.

(r.m.)