A mund të marr vizë pasi më kanë deportuar?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (më shkruani në shqip në adresën [email protected])

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Ju falenderoj për punën e shkëlqyer dhe të palodhshme që keni bërë dhe vazhdoni të bëni sidomos në komunitetin tonë. Kam jetuar në Amerikë nga viti 2003 deri në vitin 2008. Pata bërë kërkesë për azil politik dhe m’u hodh poshtë. Në vitin 2008 më deportuan në Shqipëri vendi ku vazhdoj të jetoj edhe sot. A është e nevojshme të bëj kërkesë për “waiver”, pavarësisht se nuk kam qenë në Amerikë prej më shumë se 10 vjetësh? Do të doja të takoja të afërmit e mi në SHBA. Një këshillë prej jush do të ishte shumë e dobishme.

FH

Shqipëri

Dikujt që nuk është nënshtetas dhe që është deportuar nga SHBA-ja në një vend tjetër nuk i lejohet që të hyjë sërish për një periudhë pesë, dhjetë apo njëzet vjeçare ose madje asnjëherë më. Numri i saktë i viteve varet nga faktorë si arsyeja e deportimit si dhe nëse personi i deportuar ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale. Nëse ju kanë deportuar, atëherë jeni i “papranueshëm” (nuk ju lejohet të hyni në SHBA) për një periudhë të caktuar kohe që nga data e deportimit. Fakti që ju kanë dhënë urdhër deportimi dhe që jeni larguar nga SHBA — qoftë duke ju deportuar qoftë me vullnetin tuaj të lirë — bën që për një periudhë të caktuar kohe të mos kualifikoheni për vizë.  Rregulli i përgjithshëm e do që nëse jeni deportuar të mos mund të riktheheni në Shtetet e Bashkuara për 10 vjet. Nëse keni qëndruar jashtë SHBA-së për një periudhë 10 vjeçare, atëherë “pengesa” për t’u rifutur aty ka skaduar dhe nuk ju nevojitet të paraqisni një waiver (kërkesë për falje) me përjashtim të rastit kur egzistojnë dhe arsye të tjera për t’ju refuzuar hyrjen. 

Ligjet e Emigracionit (INA) përcaktojnë se cilat lloje vizash janë në dispozicion të atyre që duan të udhëtojnë në SHBA si dhe kushtet që duhen përmbushur përpara se aplikantit t’i jepet një vizë e caktuar. Shembuj vizash joemigruese janë vizat turistike, studentore si dhe lloje të caktuara vizash pune. Kur dikush paraqet kërkesë për vizë, zyrtari konsullor i ambasadës apo konsullatës së SHBA-së jashtë SHBA-së është personi që duke u bazuar në ligjet përkatëse të SHBA-së vendos nëse aplikanti kualifikohet ose jo për të marrë vizën për të cilën ka paraqitur kërkesë. Aplikantëve që kualifikohen u jepen viza pasi është kryer i gjithë proçesi i nevojshëm. Megjithatë, kur zyrtari konsullor vendos që aplikanti nuk kualifikohet për vizë, këtij të fundit nuk i aprovohet kërkesa që ka paraqitur. Aplikanti njoftohet me gojë dhe me shkrim për arsyen pse nuk i është aprovuar kërkesa, arsye kjo që bazohet në seksionin(et) përkatës(e) të ligjit.

Nëse aplikoni për vizë turistike, kur të paraqiteni për intervistë duhet të keni me vete dokumenta që dëshmojnë që nuk keni qene në SHBA gjatë 10 viteve të fundit. Nëse arrini ta bindni zyrtarin konsullor që nuk keni qenë në SHBA prej 10 vjetësh (dhe nëse nuk keni probleme të tjera që mund të bëhen shkak për të mos ju pranuar në SHBA), normalisht duhet të kualifikoheni për vizë. Do të ishte gjithashtu shumë e rëndësishme të arrinit ta bindnit zyrtarin konsullor që pas mbarimit të vizitës, do të ktheheni në Shqipëri. Kjo është e vështirë për t’u provuar, pasi qëndrimi për një kohë të gjatë në të kaluarën në SHBA nënkupton që dëshira juaj ka qenë të rrini. Të arrish të tregosh që nuk ke ndërmend të emigrosh mund të jetë shumë e vështirë në rastet kur keni jetuar në SHBA për shumë vite, kur i keni shkelur më parë ligjet e emigracionit ose kur keni anëtarë familjeje (bashkëshorti/ja apo fëmijë të vegjël) të cilët ende jetojnë në SHBA. Nëse nuk arrini të vërtetoni që do të riktheheni, atëherë kërkesa për vizë do t’ju hidhet poshtë. Kështu pra, do t’ju duhet ta kapërceni me sukses presupozimin që keni ndërmend të emigroni, duke treguar me prova të mjaftueshme që keni lidhje shumë të forta me vendin tuaj të cilat ju detyrojnë që të largoheni nga SHBA me të mbaruar afati i qëndrimit aty. (Aplikantët për viza H1-B dhe L së bashku me bashkëshortët dhe fëmijët jo të rritur, përjashtohen nga diçka e tillë). Me lidhje të forta nënkuptohen aspekte të ndryshme të jetës që ju mbajnë të lidhur fort me vendin tuaj. Këto variojnë nga një vend tek tjetri, nga një qytet tek tjetri, nga një person tek tjetri, por nëse do të jepnim shembuj ato do të ishin: puna; shtëpia; dhe/ose lidhjet tuaja me familjen dhe rrethin shoqëror. Gjatë intervistave për vizë, zyrtarët konsullorë e shohin me radhë çdo aplikim dhe marrin në konsideratë rrethanat, planet e udhëtimit, burimet financiare si dhe lidhjet jashtë Shteteve të Bashkuara që së bashku përbëjnë faktorët që sigurojnë largimin e aplikantit menjëherë pas mbarimit të vizitës së përkohshme.

Nëse bëni kërkesë për vizë emigruese (si p.sh. green card), duhet të tregoni që në të kaluarën keni bashkëpunuar për të zbatuar urdhrin e deportimit. Nëse keni një të afërm që ka paraqitur një peticion për ju apo kualifikoheni në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe peticioni në fjalë është aprovuar, atëherë do t’ju thërrasin në ambasadën apo konsullatën e SHBA-së për intervistë. Në atë intervistë duhet të keni me vete dokumenta që dëshmojnë që nuk keni qenë fizikisht në SHBA gjatë 10 viteve të fundit. Nëse arrini ta bindni zyrtarin konsullor që nuk keni qenë në SHBA prej 10 vjetësh (dhe nëse nuk keni probleme të tjera që mund të bëhen shkak për të mos ju pranuar në SHBA), atëherë do t’ju jepet viza emigruese. Vendimi i zyrtarit konsullor është i formës së prerë dhe nuk mund të apelohet në asnjë gjykatë. Kështu pra, kur të paraqiteni për intervistë, siguroheni që keni bërë përgatitjet maksimale të mundshme. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit.

Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]