Është i njohur çmimi letrar ndërkombëtar, që jepet ndër vite në Itali, “Camaiore – Francescco Belluomini”, ndër të rrallët e këtij lloji, kushtuar tẽrẽsisht veprave mẽ të mira poetike, të shkruara në italisht apo të pẽrkthyer në gjuhẽn italiane.
Janë nderuar me këtë çmim Shenjtẽria e Tij Papa Carol Wojtyla, poeti rus Jevtushenko, rumunia Anna Blandiana, suedezi Kjell Epmark, poeti prift nga Nikaragua Ernesto Cardinal, etj, poetët italianë Corrado Calabrò, Maria Luisa Spaziani, Alda Merini, Dante Maffia, Davide Rondoni, Alberto Bevilacqua e deri te nobelisti irlandez Seamus Heaney, etj.
Për vitin 2024 i jepet Visar Zhitit për librin me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani” – “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, përkthyer në italisht nga Profesor Elio Miracco, botimet Puntoacapo Editrice, dy gjuhësh, shqip dhe italisht.
Juria italiane, e kryesuar nga Michele Brancale, e përbërë nga poetë, studiues dhe kritikë letrarë, Cinzia Demi, Simone Gambacorta, Federico Migliorati, Renato Minore, Ottavio Rossani e Luigia Sorrentino si dhe juria popullore shqyrtuan botimet nga prilli 2022 deri në mars 2023. Mes përzgjedhjes së 150 librave me poezi, sekeksionoi 25 prej tyre, pastaj nxori 7 poetë kandidatë nga bota për çmimin:
• Joao Luis Barreto Guimaraes, “Movimento” (Edizioni Kolibris) – Portugalia
• Andrea Cote, “La rovina che nomino” (Edizioni Fili d’Aquilone) – Kolumbia
• Edmond Neagoe, “Una visione dell’apocalisse” (Terra d’Ulivi Edizioni) – Rumania
• Martin Rueff, “Icaro grida in un cielo di creta” (Samuele Editore) – Franca
• Zoe Valdés, “Anatomia dello sguardo” (Edizioni Il Foglio) – Kuba
• Sarah Zahid, “Non scordiamoci mai quanto può essere bello vivere” (Edizioni Kolibris) – Norvegjia
• Visar Zhiti, “Strade che scorrono dalle mie mani” (Puntoacapo Editrice) – Shqipëria
Në votimin e fundit, para tre ditësh, u zgjodh Visar Zhiti.
Lajmin e dhanë në konferencë shtypi juria e çmimit, vetë Komuna Camaiore, mediat, gazetat vendase dhe më e madhja “Corriere della sera”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet gjatë një mbrëmje në këtë shtator, me të ftuar fituesin.
Fitoi Visar Zhiti, fitoi poezia e Shqipërisẽ.