Uashington, 8 korrik 2024 – Kjo pritet të jetë një javë e rëndësishme për Presidentin Biden mes thirrjeve të shtuara nga zyrtarë të Partisë Demokrate për t’u tërhequr nga gara. Megjithatë, siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, zoti Biden ende gëzon mbështetjen e shumë demokratëve edhe pse ata i pranojnë shqetësimet për gjendjen e tij.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u takua të dielën me një numër përkrahësish të tij gjatë një shërbese fetare në Filadelfia. Ai foli mbi arritjet e tij, edhe pse shqetësimet për moshën dhe aftësinë e tij për të udhëhequr vazhdojnë të shtohen.
Pas paraqitjes së tij të dobët në debatin e fundit, presidenti është shfaqur edhe më këmbëngulës në vendosmërinë e tij për të qëndruar në garën presidenciale.
Ai e bëri të qartë qëndrimin e tij gjatë intervistës ekskluzive të premten me gazetarin e ABC News, George Stephanopoulos.
“Nuk besoj se ekziston dikush tjetër që është më i kualifikuar se sa unë që të jetë president ose që të fitojë garën”, tha presidenti Joe Biden.
Zoti Biden vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë tek përfaqësuesit demokratë për ambicien e tij për t’u rizgjedhur, por shqetësimet në mesin e votuesve po shtohen dhe senatori demokrat Chris Murphy i pranoi këto shqetësime gjatë emisionit “State of The Union” në CNN.
“Nuk po ngrihen pikëpyetje mbi karakterin apo dinjitetin e tij, se cilat janë përparësitë e tij, apo se për çfarë lufton ai, çështja që shtrohet lidhet me moshën e tij, pra nëse ai është akoma Joe Bideni në moshë të thyer”, u shpreh senatori Murpy.
Vendimi nëse do të largohet ose jo nga gara presidenciale i takon Joe Biden-it, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff në programin “Meet the Press” të rrjetit NBC, duke theksuar se vendimi do të ketë pasoja në zgjedhje.
“Joe Bideni do të duhet të peshojë në të mirë të vetes dhe të reputacionit të tij faktin nëse mund ta mposhtë Donald Trumpin? A është ai kandidati më i mirë për të mposhtur Donald Trumpin? Por gjithashtu duhet të marrë në konsideratë ndikimin që një vendim i tillë, ndoshta më i rëndësishmi i presidencës së tij, do të ketë për garat për në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat dhe për të ardhmen e vendit”, tha zoti Schiff.
Të shtunën, ish-Presidenti Donald Trump shkroi në rrjetin e tij ‘Truth Social’ se “I pandershmi Joe Bideni duhet të injorojë kritikët e tij të shumtë dhe të vazhdojë përpara, me vendosmëri dhe forcë, me fushatën e tij të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse”.
Ndërsa titujt kryesorë të medias janë përqëndruar tek zoti Biden, vëmendja këtë javë mund të zhvendoset tek emri i kandidatit për nën president, nëse zoti Trump e bën publik këto ditë.
“Ai mund të zgjedhë mes kandidatësh shumë të mirë. Popullit amerikan i kanë shërbyer politikat e mira si edhe mënyra e udhëheqjes. Mendoj se këto politika dhe atë udhëheqje duhet ta kthejmë përsëri në Shtëpinë e Bardhë”, tha JD Vance, senator republikan .
Vëmendja e zotit Biden do të përqëndrohet tek takimi i nivelit të lartë të NATO-s, që nis të martën në Uashington, ku ai është mikpritësi.
Ndërsa zoti Trump pritet që këtë javë të zhvillojë takime zgjedhore në qyetin Doral në Florida dhe në Butler të Pensilvanisë.
(Zëri i Amerikës)