Presidentja Osmani takohet me sekretarin Blinken: Aleanca me SHBA-në është gurthemel për stabilitet e prosperitet

Uashington, 9 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Uashington, me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Takimi u realizua në kuadër të Samitit të NATO-s, i cili mbahet në 75 vjetorin e themelimit të aleancës veri-atlantike.

Pas takimit, në një shkrim në Facebook, Presidentja Osmani theksoi se aleanca e Kosovës me SHBA-në nuk është vetëm dëshmi e vlerave dhe parimeve të përbashkëta demokratike, por edhe një gur themeli për stabilitet dhe prosperitet.

“Faleminderit Sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, shkruan ajo.

Kosova është një ndër tri shtetet e botës që është bërë pjesë e nismës së SHBA-së për themelimin e Qendrave Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Sekretari Bliken, në një konferencë për media, e ka vlerësuar rolin e presidentes Vjosa Osmani për hapjen e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, gjatë fjalimit në aktivitetin për gratë, paqen dhe sigurinë të martën në SHBA si pjesë e samitit për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s.

Blinken ka thënë se Presidentja Osmani ka qenë vendimtare për të filluar me këtë nismë për gratë, sigurinë dhe paqen.

“Këtë vit SHBA-ja i hapi qendrat rajonale ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’ në Kolumbi dhe në Kosovë. Ne jemi mirënjohës që presidenten Osmani e kemi këtu me ne sot. Presidentja Osmani ishte e rëndësishme në nisjen e kësaj iniciative. Ajo tashmë po demonstron mënyrën se si këto qendra mund të shërbejnë si qendra për ide dhe për inovacion. Në muajt në vijim do të hapim qendrën e tretë në Filipine”, ka thënë Blinken.

Zyra e Presidentes së Kosovës është përzgjedhur nga Zyra e Sekretarit Blinken në mesin e partnerëve globalë për themelimib e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Marrëveshja për themelimin e kësaj qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e sekretarit Blinken në muajin prill të këtij viti, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

(r.m.)