Moskë, 9 korrik 2024 – Një gjykatë në Moskë të martën urdhëroi arrestimin e Yulia Navalnaya, të venë e opozitarit të ndjerë rus, Alexei Navalny.
Navalnaya, 47 vjeçare, e cila jeton jashtë Rusisë, akuzohet për pjesëmarrje në një “grup ekstremist”.
Navalnaya është bërë qendër e vëmendjes në Rusi pas vdekjes së burrit të saj, në një koloni penale në Arktik, në muajin shkurt, kur ajo njoftoi se do ta vazhdojë luftën për atë që ajo e quajti “Rusia e bukur e së ardhmes”.
Të martën, pas publikimit të njoftimit për lëshimin e urdhërarrestit ndaj saj, Navalnaya, nëpërmjet një postimi në platformën X, i ka këshilluar mbështetësit e saj që të mos përqendrohen në urdhëarrestin ndaj saj, por në betejën kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
“Kur shkruani për këtë, ju lutem mos harroni të shkruani gjënë kryesore: Vladimir Putin është një vrasës dhe një kriminel lufte”, ka shkruar ajo.
“Vendi i tij është në burg dhe jo diku në Hagë, në qeli komode me TV, por në Rusi – në të njëjtën koloni (penale) dhe të njëjtën qeli 2 me 3 metra në të cilën ai vrau Alexein”, ka shtuar ajo.
Kremlini ka mohuar të ketë urdhëruar vrasjen e Navalnyt.
(r.m.)