Uashington, 10 korrik 2024 – Presidenti Joe Biden njoftoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj do t’i ofrojnë Ukrainës armë të tjera, përfshirë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.
“Ukraina mundet dhe do ta ndalojë Putinin, sidomos me mbështetjen tonë të plotë kolektive. Ajo e ka mbështetjen tonë të plotë”, tha Biden në ditën e parë të Samitit vjetor të NATO-s, që mbahet në Uashington.
“Lufta do të përfundojë me Ukrainën si vend të lirë dhe të pavarur. Rusia nuk do të mbizotërojë”, theksoi ai.
Presidenti Biden tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj do t’i ofrojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në muajt e ardhshëm, si edhe qindra përgjues gjatë vitit të ardhshëm.
Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet një deklarate, bëri të ditur se SHBA-ja, Gjermania dhe Rumania do t’i dhurojnë Ukrainës bateri “Patriot”, kurse Holanda dhe partnerët tjerë do t’i ofrojnë komponentë “Patriot” për të mundësuar funksionimin e disa baterive shtesë. Ndërsa Italia do të dhurojë një sistem shtesë SAMP-T.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se njoftime të mëtejshme për ndihmat për Ukrainën do të bëhen gjatë samitit të NATO-s që po mbahet në Uashington.
Fjalimi i Bidenit u ndoq nga afër jo vetëm për komentet e tij në lidhje me mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, por edhe për performancën e tij të përgjithshme.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia, nëse do të dilte fituese në luftën e saj në Ukrainë, do të trimëronte Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut dhe do të ceononte mjedisin e sigurisë globale për disa dekada në vazhdim.
“Mbajeni mend, kostoja më e madhe dhe rreziku më i madh do të jetë nëse Rusia fiton në Ukrainë. Ne nuk mund të lejojmë të ndodhë kjo”, theksoi Stoltenberg.
(r.m.)