Zgjaten edhe për 3 muaj hetimet për Berishën e Malltezin lidhur me aferën “Partizani”

Tiranë, 11 korrik 2024 – Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka vendosur të zgjatet edhe për tre muaj afati i hetimeve për ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamabër Malltezi, të cilët janë të dyshuar për korrupsion në aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Seanca e sotme e gjykatës, në të cilën avokatët e Berishës dhe Malltezit pritej të njiheshin me provat e reja të SPAK-ut u shty për datën 19 korrik. Gjyqtarja Irena Gjoka ka urdhëruar që Berisha dhe Malltezi të paguajnë për fotokopjet e fashikujve të dosjes.

Avokati Genc Gjokutaj tregoi se bëhet fjalë për 12 fashikuj. Ai tha se çështja e detyrimit financiar mund të zgjidhej në fund të procesit.

“Më 19 korrik do t’i marrim aktet. Gjyqtarja vendosi që aktet të merren me pagesë. Neve na takojnë këto akte. Ata nuk e kanë problem të bëjnë fotokopje dhe çështja e detyrimit financiar të zgjidhet në fund. Duhet të jenë 12 fashikuj që janë përgatitur për këta dy muaj”, tha Gjokutaj pasi doli nga SPAK.

Ndërkohë në Gjykatën e Lartë është rrëzuar edhe një tjetër kërkesë e Berishës për përjashtimin e trupit gjykues (Ilir Panda, Sokol Binaj, Sandër Simoni) nga gjykimi i kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurisë. Bëhet fjalë për çështjen penale nr. 61007- 00370-00-2024, që i përket rekursit kundër vendimit nr. 85, datë 17.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Berisha, i cili ndodhet prej 30 dhjetorit 2023 në masën e sigurisë arrest shtëpie, kërkon ndryshimin e kësaj mase, por kërkesa e tij është refuzuar nga gjykatat në të trI nivelet, me arsyetim se Berisha vazhdon të shkelë vendimin, duke lejuar që në banesën e tij të hyjnë persona që nuk janë familjarë të tij dhe duke komunikuar me persona jashtë familjes, ndonëse kjo është e ndaluar.

(r.m.)