Pushon çështja e aktorit Alec Baldwin për vrasjen e producentes Halyna Hutchins

Santa Fe (Nju Meksiko), 13 korrik 2024 – Një gjykatëse në Nju Meksiko e pushoi çështjen ndaj aktorit Alec Baldwin lidhur me vrasjen e producentes Halyna Hutchins gjatë xhirimeve të filmit “Rust”, raportoi Zëri i Amerikës.

Gjykata vendosi që ndaj zotit Baldwin nuk mund të ngritet më padi për të njëjtën çështje.

Të premten, gjykatësja Mary Marlowe Sommer e pushoi çështjen gjyqësore bazuar tek shkeljet e policisë dhe prokurorisë, të cilat i fshehën provat nga pala mbrojtëse për çështjen e vrasjes me armë të producentes Hutchins.

Zoti Baldwin qau në sallën e gjyqit dhe i përqafoi avokatët e tij, pasi u njoftua vendimi i gjykatës.

Me kërkesë të prokurorëve, një juri e madhe pati ringritur akuzat në janar ndaj aktorit Alec Baldwin për vrasje nga pakujdesia gjatë incidentit fatal të vitit 2021, duke e rikthyer kështu çështjen ndaj aktorit të njohur.

Zoti Baldwin, aktori kryesor dhe bashkë-producent i filmit Western “Rust”, po i drejtonte armën kineastes Halyna Hutchins, gjatë provave për një filmim në të dalë të qytetit Santa Fe, në tetor 2021, kur arma u shkrep, duke vrarë kineasten dhe duke plagosur regjizorin Joel Souza. Zoti Baldwin ka thënë se nuk e ka tërhequr këmbëzën e armës.

Ringritja e padisë e vendosi sërish zotin Baldwin në vështirësi ligjore dhe ngriti sërish mundësinë e dërgimit në burg të një aktori të mirënjohur në televizion dhe filma për gati 40 vite.

Prokurorët e posaçëm patën tërhequr fillimisht një akuzë të ngjashme ndaj zotit Baldwin, duke thënë se ishin informuar se arma mund të ishte modifikuar përpara filmimeve dhe se mund të kishte keqfunksionuar. Më vonë ata ndryshuan qëndrim dhe filluan paraqitjen e akuzës së re ndaj tij, pasi morën përfundimet e analizave të reja për armën në fjalë.

(r.m.)