Uashington, 14 korrik 2024 – Presidenti Joe Biden tha të shtunën se “të gjithë duhet ta dënojnë” atentatin e dyshuar ndaj ish-presidentit Donald Trump dhe shtoi se shpreson të flasë së shpejti me rivalin e tij.
Duke iu drejtuar vendit rreth dy orë pas ngjarjes, zoti Biden tha se ndjehej i lehtësuar që sipas njoftimeve zoti Trump “është mirë”. Ai shtoi se nuk kishte mundur të fliste me ish-presidentin Trump përpara se të bënte komentet para vendit dhe u zotua se do të informojë publikun nëse arrin të bisedojë me të dhe nëse merr detaje shtesë rreth hetimit.
“Ne nuk mund të lejojmë që të ndodhin gjëra të tilla. Ideja se mund të ndodhë një dhunë e këtij lloji në Amerikë është e pabesueshme”.
Presidenti Biden, tha se po priste informacion shtesë përpara se ta quante zyrtarisht sulmin një tentativë për vrasje ndaj ish-presidentit. “Unë kam mendimin tim, por nuk kam fakte,” u tha ai gazetarëve, duke u zotuar të se do të japë informacione shtesë kur t’i marrë ato.
Presidenti foli nga qyteti bregdetar Rehoboth i shtetit Delauerë, ku po kalonte fundjavën.
Zoti Biden mori “informacionin fillestar” nga këshilltarët e tij pas të shtënave dhe më pas mblodhi zyrtarët e sigurisë për një përditësim më të detajuar nga Kimberly Cheatle, drejtoresha e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas dhe këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë, Liz Sherwood-Randall.
Pas incidentit, fushata e zotit Biden tha se po ndalte të gjitha mesazhet për përkrahësit e tij dhe se do të tërhiqte të gjitha reklamat televizive. Nënpresidentja Kamala Harris tha në një deklaratë se edhe ajo ishte informuar, duke shtuar se ajo dhe bashkëshorti i saj “ndjehen të lehtësuar” që zoti Trump nuk ishte lënduar rëndë.
“Ne lutemi për të, familjen e tij dhe të gjithë ata që janë lënduar dhe prekur nga ky sulm i pakuptimtë,” tha ajo.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se Presidenti Biden do të niset nga shtëpia e tij e plazhit në Rehoboth për në Uashington mbrëmjen e së shtunës.
(Zëri i Amerikës)