… që shpëtuan jetën e ish-Presidentit Trump dhe i dhanë Amerikës një shans për të zbutur retorikën apokaliptike që mbizotëron debatin politik në vend
Nga Ruben Avxhiu
Atentati i djeshëm kundër ish-Presidentit Donald Trump nuk ishte një ngjarje më vete, por një moment kulmor i një klime politike të rrezikshme e polarizuese që ka vite që vegjeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fatmirësisht, kandidati republikan për president shpëtoi për mrekulli. Vetëm pak milimetra më tutje dhe tragjedia do të kishte goditur jo vetëm familjen Trump por të gjithë shoqërinë amerikane.
Ajo që kemi parë në këto vite dhe po shohim, dëshmon se edhe demokracitë më të suksesshme dhe më të njohura, mund të hyjnë në krizë e të përballen me sfida ekzistenciale.
Demokracia nuk është një sistem i lehtë dhe mund të rrënohet brenda harkut kohor të një brezi.
Një minimum i nevojshëm është dënimi i çfarëdo akti dhune ndaj kandidatëve politikë. E vetmja rrugë e pranueshme për të mundur një politikan të keq kalon nga kutitë e votimit. Asnjë kandidat nuk është aq i keq sa të meritojë ekzekutimin dhe aq më pak ka të drejtë kushdo nga ne që të vendosë se kush duhet të vritet e kush jo.
Nga e majta apo nga e djathta, nëse ke marrë armën për të vrarë një udhëheqës politik, nuk je asgjë tjetër përveçse një terrorist. I tillë ishte 20-vjeçari idiot që provoi dje të caktonte ai vetë dhe jo kombi amerikan se kush nuk duhet të zgjidhet president në këtë nëntor.
Donald Trump pati fat se vdekja vërtet që i vërshëlleu në vesh. Një lëvizje e kokës në momentin e fundit duket se e ka shpëtuar. Nga ana tjetër, ai e mblodhi veten shpejt dhe pak minuta më pas, kur Shërbimi Sekret dha urdhërin për t’u larguar duke e mbuluar ish-presidentin me trup, ai u ngrit mbi ta dhe ngriti grushtin në mënyrë sfiduese duke entuziasmuar mbështetësit e tij. Gjesti u fiksua në dhjetëra fotografi historike, që do t’i shërbejnë në mënyrë të jashtëzakonshme fushatës së tij presidenciale dhe imazhit të tij si udhëheqës.
Gjesti i tij, ndonëse një tmerr nga pikëvështrimi i Shërbimit Sekret që duhet ta ruajë dhe agjentët të cilët duke e mbuluar me trupin e tyre kthehen në mburoja njerëzore për politikanin e rrezikuar, do të shihet dhe intepretohet si një akt guximi e trimërie, një dëshmi e reagimit me gjakftohtësi në momente kritike, përballë kërcënimit të jetës. Kjo është mënyra se si njerëzit presin që të reagojnë heronjtë e tyre.
Republikanët kanë të drejtë që akuzojnë median kryesore të vendit, e cila prej vitesh e ka braktisur standardet e arta të gazetarisë kur ndjek ish-Presidentin Trump. Trajtimi me alarmizëm katastrofal dhe me ekzagjerim frikëndjellës i çdo gjëje që ka lidhje me presidentin, vjen me rreziqe si atentati që ndodhi dje.
Nga ana tjetër, Trump është sa viktimë i kësaj klime polarizuese aq edhe përgjegjës si bashkautor në krijimin e saj. Mbështetësit e tij e urrejnë median kryesore të vendit, por ajo dhe retorika e heroit të tyre e kanë krijuar bashkë këtë situatë.
Vetë Trump, anëtarë të familje së tij, vartës dhe aleatë të tij politikë për vite me radhë janë tallur dhe kanë përqeshur një numër incidentesh të dhunshme ndaj politikanëve demokratë dhe familjarëve të tyre. Si në rastin e sulmit ndaj bashkëshortit të ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, komploti për të rrëmbyer Guvernatoren e Shtetit Michigan, Gretchen Whitmer. Me stilin e tij, komplet anti-amerikan, Donald Trump refuzon të pranojë humbjet në zgjedhje duke akuzuar gjithmonë për hile, duke filluar që nga humbja e parë e tij përballë Senatorit Ted Cruz, në Kaukuset Republikane e Shtetit Iowa, në 2016. Ai nxiti dhunën e protestuesve që pushtuan Kapitol Hillin në 6 janar 2021, për të protestuar zyrtarizimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2020. (Katër vjet më vonë ish-Presidenti Trump ende nuk e pranon që i humbi zgjedhjet në 2020, një arsye e mirë për të mos e zgjedhur më, por jo për ta vrarë.) Këto e shumë incidente të tjera i hedhin benzinë pikërisht zjarrit që desh krijoi një tragjedi dje në Pennsylvania.
As Demokratët nuk kanë shkëlqyer në këtë drejtim. Dënuesit e dhunës së 6 janarit 2021, heshtën për muaj me radhë ndërkohë që protestues të majtë sulmonin ndërtesa të gjykatave federale, objekte dhe biznese në qendrat e qyteteve kryesore të vendeve, kërcënonin figura republikane, në mjedise publike përtej politikës etj. Një rast tjetër që duhej të kishte shkaktuar më shumë reflektim ishte atentati ku u plagos kongresisti republikan, Steve Scalise.
Ka shumë për të diskutuar për fatin e demokracisë amerikane, por atentati i djeshëm na detyron të kthehemi te minimum i mundshëm. Këtu të paktën parimi është i thjeshtë:
Dhuna nuk ka vend në politikë dhe duhet dënuar menjëherë pavarësisht se kush është viktimë e saj, aq më tepër kur viktima është e partisë kundërshtare.
Në këtë kontekst, dënimi i menjëhershëm që i bënë dhunës udhëheqësit demokratë, duke filluar që nga Presidenti Joe Biden është një fillim i mirë. Shprehja e solidaritetit prej tyre për ish-presidentin Trump duhet të reciprokohet.
Ato milimetra që shpëtuan jetën e ish-Presidentit Trump i dhanë një shans politikës dhe opinionit publik amerikan që të reflektojë e të gjejë forcën për të zbutur retorikën apokaliptike. Asnjë rezultat zgjedhjesh nuk është fundi i botës dhe apo fundi i demokracisë amerikane. Ky vend ka potencial të jashtëzakonshëm dhe ka kaluar furtuna më të rënda. Gjuhës së urrejtjes dhe frikësimit i duhet vënë fre.
Asnjë skenë politike nuk ndiqet me aq shumë pasion e vëmendje në mbarë botën sesa ajo amerikane. Çfarë ndodh aty reflektohet, kopjohet e shumëfishohet në të katër anët e globit. Për shumë arsye, njerëzit e përgjegjshëm jo vetëm në Amerikë por në mbarë botën urojnë që situata politike në SHBA të rikthehet në shina, që arsyeja të mbizotërojë dhe që demokracia amerikane ta kalojë sfidën e saj e krizën e saj më të madhe në më shumë se gjysëmshekulli.