Bruksel, 15 korrik 2024 – Pas samiteve të fundit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe atij të grupit të vendeve më të industrializuara, G-7, në Londër, më 18 korrik, do të zhvillohet samiti i radhës i udhëheqësve të vendeve të përfshira në Bashkësinë Politike Evropiane.
Ky është bërë tashmë forumi më i madh evropian, ku marrin pjesë më shumë se 50 liderë nga vendet evropiane, si dhe nga organizatat evropiane.
Takimi i këtij viti ka një simbolikë të veçantë, pasi zhvillohet në vendlindjen e liderit të famshëm britanik, Winston Churchill. Do të jetë, po ashtu, samiti i parë ndërkombëtar me mikpritës kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer, i cili mori detyrën në fillim të korrikut.
Për Bashkimin Evropian, forcimi i Bashkësisë Politike Evropiane konsiderohet me rëndësi të veçantë. Ai dëshiron që ky forum të forcohet dhe ekzistenca e tij të mos vihet në dyshim. Ai, po ashtu, e sheh atë si një mundësi për t’i përfshirë në debat për çështje të interesit të përbashkët edhe ato vende evropiane që i ndajnë vlerat e përbashkëta, por që nuk janë vende anëtare të BE-së.
Përderisa BE-ja i ka 27 vende anëtare, në Bashkësinë Politike Evropiane janë 44 vende. Prej se është lancuar kjo iniciativë, rreth dy vjet më parë, udhëheqësit e saj janë takuar tri herë.
Takimi i parë u zhvillua në Pragë në vitin 2022, kur Çekia kishte kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian; i dyti në Kishinjev të Moldavisë në qershor të vitit 2023, ndërsa i treti në Granadë të Spanjës në tetor të vitit 2023.
I katërti do të zhvillohet në Britani të Madhe, pasi është vendosur që nikoqir të jetë njëherë një vend anëtar i BE-së, ndërsa herën tjetër një vend evropian që nuk është në BE.
Burimet e BE-së thonë për Radion Evropa e Lirë se ky takim mund të shërbejë për të diskutuar me partnerët edhe rreth qëndrimeve të tyre ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, raporteve të Evropës me Kinën dhe sfidave të tjera të përbashkëta, siç janë: migrimi dhe ndryshimet klimatike.
BE-ja e sheh Bashkësinë Politike Evropiane edhe si një forum të rëndësishëm për raportet me vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ato janë kandidate apo kandidate potenciale për anëtarësim të plotë në BE.
Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë pjesëmarrëse të rregullta të samiteve në Bashkësisë Politike Evropiane.
Në këtë forum, pa ndonjë pengesë, ka marrë pjesë edhe Kosova. Udhëheqës të saj ishin të pranishëm edhe në dy samitet që u zhvilluan në vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Moldavi dhe Spanjë.
Një burim i BE-së thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi me Britaninë e Madhe është i rëndësishëm sa i përket angazhimit me Ballkanin Perëndimor.
“Pas Brexit-it, pra pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja, NATO-ja ishte forumi i vetëm, ku mund të bashkëvepronim edhe rreth çështjeve në Ballkanin Perëndimor, sidomos rreth Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Tash kemi mundësi që edhe përmes Bashkësisë Politike Evropiane të diskutojmë me partnerët britanikë për këto çështje. Prandaj, ky samit në Britani ka rëndësi”, thotë ky burim.
Edhe pas largimit nga BE-ja, Britania e Madhe, sipas diplomatëve evropianë, ka mbajtur një interes të madh për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ku i ka mbështetur edhe qëndrimet e BE-së.
Si shembull përmendet mbështetja për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson BE-ja, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Takimi i këtij viti i Bashkësisë Politike Evropiane zhvillohet, po ashtu, në kohën kur Bashkimi Evropian po kalon përmes një faze të tranzicionit institucional.
Pikërisht në ditën kur nis ky samit në Londër, në një seancë plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg do të votohet për zgjedhjen e Ursula von der Leyenit presidente të Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar. Për këtë, udhëheqësit e vendeve të BE-së tashmë janë pajtuar, por duhen siguruar edhe votat në Parlamentin Evropian.
Ky samit i Bashkësisë Politike Evropiane do të jetë i fundit për presidentin aktual të Këshillit Evropian, Charles Michel.
BE-ja ka emëruar tashmë ish-kryeministrin e Portugalisë, Antonio Costa, si pasardhës të Michelit në këtë post.
Në Bruksel thonë se këto ndryshime, nëpër të cilat po kalon BE-ja, nuk ndikojnë në qëndrimin e fuqishëm të BE-së për mbështetjen afatgjate të Bashkësisë Politike Evropiane.
Idenë për krijimin e saj e ka përmendur i pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e pas tij edhe Michel.
Bashkësia Politike Evropiane nuk është një organizatë formale, por shërben si forum, ku së paku një herë në vit liderët e 44 vendeve evropiane mblidhen dhe diskutojnë për çështje të interesit të përbashkët.
Kur ideja është përmendur për herë të parë, ka pasur edhe disa dyshime nëse kjo bashkësi do të shfrytëzohej si alternativë për zgjerimin e BE-së. Por, në BE kanë siguruar se Bashkësia Politike Evropiane, në asnjë mënyrë, nuk ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së, e as të bëjë gara me organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset.