Tiranë, 15 korrik 2024 – Ish kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i dënuar me dy vjet burg për korrupsion në zgjedhje, doli të hënën nga burgu dhe shkoi në Athinë, prej nga do të udhëtojë për në Strasburg, për të marrë pjesë në seancën e konstituimit të Parlamentit Europian. Drejtoria e Burgjeve i dha atij leje shërbyese deri më 20 korrik, kur duhet të kthehet në vuajtje të dënimit. Mëngjesin e sotëm Fredi Beleri la mjediset e burgut të Fierit ku ai po vuan dënimin. Përveç familjarëve, për ta pritur kishin dalë dhe përfaqësuesë të ambasadës greke, ndërsa interesim të lartë kishte dhe nga media greke, për të cilat ai dha disa deklarata të shkurtra.
Për gazetarët shqiptarë, zgjodhi të fliste në aeroport, ku ai u shoqërua nga një makinë e ambasadës grekë. “Falenderoj Drejtorinë e Burgjeve. Ishte një vendim në kuadër të ligjit dhe logjikës. Natyrshëm lind pyetja, pse një gjë kaq e thjeshtë, nuk u bë për të marrë mandatin e Kryetarit të bashkisë”, u shpreh ai.
Në fakt, bëhet fjalë për dy statuse të ndryshme. Kur ai kërkoi të bënte betimin si kryetar i Bashkisë, ishte një i paraburgosur, duke gëzuar të drejta shumë më të kufizuara se tani, që është një i dënuar. Në atë kohë, kërkesa e tij u hodh poshtë nga gjykatat, ndërsa me statusin aktual, kompetenca për t’i dhënë leje ose jo, është e vetë Drejtorisë së Burgjeve. Siç ndodhi javën e shkuar dhe kur ai u lejua të merrte pjesë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit të vitit të shkuar, nën dyshimet se kishte ofruar para në këmbim të votës në favor të kandidaturës së tij. Ai ka hedhur poshtë akuzat e ngritura. Edhe sot përsërit se drejtësia sipas tij ka vepruar me dy standarte: “Do e ankimoj në të gjitha hallkat e drejtësisë shqiptare. Po nuk gjeta të drejtën, edhe në Strasburg”
Nga Tirana ai udhëtoi drejt Athinës, prej nga do të niset për në mbledhjen e parë të parlamentit europian. Në kryeytetin grek, ai u prit në pallatin qeveritar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Rasti i tij u përdor në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Greqi, vitin e shkuar, ndërsa në qershor të këtij viti, ai fitoi një vend në parlamentin europian, si pjesë e listës së zotit Mitsotakis.
Arrestimi i tij, ka çuar në një çarje të fortë në marrëdhëniet mes dy vendeve, me Greqinë që bllokoi avancimin e Shqipërisë në bisedimet për anëtarësim.
Në takimin e sotëm, sipas asaj që i referohen mediat greke, tonet duket të kenë qenë tejet të zbutura. Kryeministri grek citohet të ketë thënë se shpresonte që shumë shpejt Beleri “të dalë një herë e mirë nga burgu, e që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara” duke shtuar se Greqia dëshiron “një Shqipëri e cila të afrohet më shumë me Evropën, por pa dështuar t’i përmbahet angazhimeve të saj evropiane”.
Me dënimin e tij nga Apeli, zoti Beleri humbi mandatin për drejtimin e HImarës. Ditën që komisioneri zgjedhor shpalli vendimin, ndonëse zoti Beleri ka të drejtën e ankimimit, qeveria nxitoi t’i kërkojë presidentit Bajram Begaj, të shpallte zgjedhjet e reja, të cilat do të duhet të mbahen më 4 gusht. Zoti Beleri ka kërkuar në Gjykatën Administrative pezullimin e dekretit të Kreut të Shtetit.
(Zëri i Amerikës)