Policia maqedonase konfirmon se Blerim Ramadani është ndaluar në bazë të fletarrestit të Serbisë

Shkup, 18 korrik 2024 – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se Blerim Ramadani, shtetas i Kosovës, është arrestuar të mërkurën, më 17 korrik, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

“Me datë 17.07.2024 në ora 16:00 në vendkalimin kufitar Jazhincë, me të hyrë në shtet, zyrtarët policorë e kanë ndaluar B.R. (47 vjeçar) nga Kosova pasi gjatë kontrollit të pasaportave është konstatuar se ai ishte i regjistruar me “Apsi” me kërkesë të Serbisë dhe ai i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriu.

Blerim Ramadani, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Nerodimes, u arrestua në vendkalimin kufitar midis Kosovës e Maqedonisë së Veriut në Jazhincë, në komunën e Tetovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke u angazhuar në këtë rast dhe autoritetet po punojnë për të siguruar lirimin e shpejtë të Blerim Ramadanit.

Kohët e fundit në Serbi janë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët janë akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin në Kosovë të shtetasve kosovarë që po mbahen në Serbi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht për trajtimin e veprave që janë kryer ose kryhen brenda territorit të saj.

Edhe Serbia pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, Kosova dhe Serbia e kishin nënshkruar një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuza për krime lufte.

(r.m.)