Gjykata rrëzon kërkesën e Rezart Taçit që çështja për pastrim parash të transferohet në Itali

Tiranë, 18 korrik 2024 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi të enjten më 18 korrik kërkesën e ish-biznesmenit kontrovers të Naftës, Rezart Taçi, për transferimin në Itali të  çështjes për pastrim parash në ngarkim të tij. Kërkesa u depozitua në seancën e 24 qershorit nga përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Ilenja Mëhilli, e cila pretendoi se çështja e Taçit duhej transferuar në Itali, pasi ai është rezident në atë vend, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka qenë që prej vitit 2015.

Sipas avokates, klienti saj është gjykuar dhe dënuar nga drejtësia italiane në shkallën e parë dhe se pas arsyetimit të vendimit në muajin shtator, pritej që së shpejti procesi të përmbyllej dhe në apel. Ajo tha se objekti procesit në Shqipëri është një gjë e gjykuar, pasi për të njëjtat fakte Taçi është gjykuar e dënuar dhe në Itali. Ajo argumentoi se proceset në të dy vendet janë ngritur bazuar në shkëmbimin e të njëjtave prova e akte.

Po ashtu, Mëhilli solli në vëmendje se për shtetasit italianë ishte transferuar çështja në Itali dhe prokurori kishte qenë dakord.

Prokurori Klodian Braho e cilësoi si të pabazuar kërkesën e avokates Mëhilli, si dhe krahasimin e bërë prej saj në rastin e transferimit të çështjes për shtetasit italianë. Ai theksoi se veç faktit që Taçi është shtetas shqiptar, nuk ka asnjë dokument që të provojë se ai është me qëndrim në Itali. “Që prej vitit 2021 është në kërkim ndërkombëtar dhe nuk dihet se ku është me qëndrim”, tha Braho dhe vërejti se avokatja ishte zgjedhur me prokurë nga motra e të pandehurit.

Në vijim, Braho konstatoi se fakti penal për të cilin akuzohet Taçi dhe bashkëpunëtorët e tij ka ndodhur në Zvicër e në Shqipëri. Ai shtoi se vendimi i drejtësisë italiane nuk ishte i formës së prerë dhe për rrjedhojë nuk ka ende gjë të gjykuar. Sipas Brahos, në këtë moment procedural, kërkesa nuk qëndronte dhe duhej të rrëzohej.

Me të njëjtat argumente gjykata e rrëzoi kërkesën dhe hapi shqyrtimin gjyqësor. Prokurori Braho parashtroi rrethanat e faktit për të cilat akuzohet Rezart Taçi.

Rezart Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në nëntor të vitit 2021, pasi u  akuzua se ishte përfshirë në një operacion financiar për fshehjen e mbi 18 milionë eurove nga konfiskimi në Itali dhe pastrimin e tyre në Shqipëri.

Më 25 prill 2023, Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, vendimmarrje që u la në fuqi nga Apeli në muajin tetor, po të vitit të kaluar.

Sipas hetimit të zhvilluar nga drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Palermos dhe nga SPAK, operacioni financiar për pastrimin e parave është shtrirë në Itali, Zvicër dhe Tiranë. Atëherë u raportua se si pjesë e këtij operacioni përfundoi në arrest shtëpiak sipërmarrësi 90 vjeçar italian, Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”.

Prokuroria e Palermos arrestoi gjithashtu kontabilistin Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrati palermitan që jeton dhe punon në Milano. Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi, duke tentuar që vlerat monetare t’i transferonin drejt Hong-Kongut pasi të kishin mundësuar pastrimin e tyre në Shqipëri, nëpërmjet një kompanie hidrokarburesh.

Rezart Taçi njihet si biznesmen hidrokarburesh prej dy dekadash, por kulmin e tij e arriti gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 2005-2013, kur përmes një procesi të paqartë, ai arriti të blinte kompaninë e përpunimit të naftës, ARMO, që e dorëzoi më pas tek azerët, me një mal me borxhe.

(Reporter.al)