Bruksel, 29 prill 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumentet “non paper”, të publikuara ditët e fundit nga mediat në Ballkan, mund ta kenë prejardhjen nga Beogradi dhe Moska.
“Nuk besoj që autorët e këtyre janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht që jo SHBA-ja dhe as ato evropiane. Besoj që kjo vjen nga Beogradi dhe verilindja. Është interes i Federatës Ruse ta përdorë Ballkanin Perëndimor për të sulmuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, tha Kurti, në një intervistë me gazetarë që po e përcjellin vizitën e tij në Bruksel.
Kurti tha se synim i Beogradit është hapja e pakos së Ahtisarit dhe e të gjitha zgjidhjeve brenda saj.
“Nën sulm ndodhet plani i Ahtisarit, synimi i Beogradit është që ta hapë pakon e Ahtisarit dhe të gjitha çështjet që ishin aty brenda. Formula e suksesit, e cila është edhe obligim moral e politik, është që ne ta mbrojmë pavarësinë e Kosovës dhe faktorët ndërkombëtarë ta mbrojnë planin e Ahtisarit karshi Serbisë. Synimi i Serbisë është bosnjëzimi i Kosovës, që ta bëjë Kosovën shtet të dështuar. Synimi i saj është që të sulmojë sovranitetin dhe integritetin territorial, duke e hapur pakon e Ahtisarit. Plani i Ahtisarit është fëmijë i ndërkombëtarëve. Atë duhet ta mbrojnë ndërkombëtarët, ndërkaq unë po e mbroj Kosovën tonë të dashur, të pavarur”, theksoi Kurti.
Dy javët e fundit, në mediat e Kosovës u publikuan dy dokumente “non-paper”, në të cilat sugjerohen zgjidhje për kontestin Kosovë-Serbi.
“Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, autorësia e të cilit i atribuohet kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, e konsideron “ridefinimin” e kufijve në Ballkanin Perëndimor si mënyrë për të zgjidhur problemet ndërmjet gjashtë vendeve të rajonit. Jansha, por edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, i kanëhedhur poshtë këto pretendime.
Të maërtën, më 27 prill, në mediat e Kosovës u publikua një “non-paper” tjetër, i cili sugjeron themelimin e “Distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës nga Serbia.
Gjermania dhe Franca, të cilave u atribuohet autorësia, e kanë mohuar këtë.
(r.m)