Ukraina dhe Republika Çeke do të ndërtojnë fabrikë municioni

Kiev, 19 korrik 2024 – Ukraina dhe Republika Çeke nënshkruan një marrëveshje për prodhim pushkësh dhe do të ndërtojnë edhe një fabrikë municioni.

Koncerni shtetëror Ukroboronprom me seli në Kiev ka njoftuar se do të ndërtojë një fabrikë të re municionesh në Ukrainë në bashkëpunim me prodhuesin çek të armëve të zjarrit Sellier & Bellot.

Gjatë një vizite në Pragë kryeministri ukrainas Denis Shmygaln tha se në Ukrainë do të ndërtohet një fabrikë e re fishekësh. Po ashtu u njoftua edhe për një marrëveshje për prodhimin e pushkëve çeke.

Republika Çeke dhe Presidenti çek Petr Pavel janë mbështetës të fortë të Ukrainës. Sipas Presidenti çek Rusia nuk po bën luftë vetëm kundër Ukrainës. Agresioni rus drejtohet kundër gjithë botës perëndimore dhe rendit evropian të vlerave.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës koncerni Ukroboronprom e ka zhvendosur pjesën më të madhe të prodhimit të tij jashtë vendit.

Republika Çeke drejton gjithashtu një nismë për të siguruar municion nga vende jashtë Bashkimit Evropian dhe për t’ia dhënë ato ushtrisë ukrainase.

Ky vend ka pasur historikisht një industri të fortë armatimesh dhe kompanitë private çeke tregtojnë në shkallë të madhe materiale të ripërtërira nga arsenalet e Traktatit të Varshavës.

Përfaqësuesit e qeverisë çeke kanë kryer nga fillimi i këtij viti negociata diskrete dhe sekrete dhe kanë gjetur rreth gjysmë milioni fishekë të kalibrit 155 milimetër dhe 300.000 fishekë të kalibrit 122 milimetër.

Republika Çeke vepron kryesisht si ndërmjetësuese. Financimin, që kap vlerën 1.5 miliardë euro, do ta marrin përsipër vende të tjera.

(DW)