Sulm me armë në Memaliaj, tre të vrarë dhe një i plagosur

Tiranë, 21 korrik 2024 – Policia e Gjirokastrës njoftoi se tre persona u vranë dhe një tjetër u plagos të shtunën në mbrëmje, afër mesnatës, gjatë një sulmi me armë zjarri, në një lokal në qendër të qytezës së Memaliajt, në jug të Shqipërisë.

Të vrarë mbetën Shyqyri Kalemi, 74 vjeç, i cili gjendej në lokal, Marsel Çela, 47 vjeç, gjithashtu mysafir në local, dhe kamarieri Gledian Muka, 36 vjeç, i cili po i shërbentë Kalemit. Ndërsa i plagosur rëndë mbeti vëllai i Shyqyri Kalemit, Arturi.  

Menjëherë pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës, me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Belaj. Në automjetin e djegur janë gjetur edhe disa armë të tipit automatik,numri i të cilave nuk është përcaktuar ende.

Polica po heton pistën e vrasjes së Shyqyri Kalemit për motive hakmarrjeje, pasi njëri prej djemve të tij është person me disa precedente penale.

I ndjeri Shyqyri Kalemi ishte babai i Adriatik Kalemit, i cili ka krijuar shumë armiq. Në vitin 2001 ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge, pasi bashkë me vëllain e tij akuzoheshin për vrasjen e Mevlan e Adriatik Çaçës. Ai ka qenë i dyshuar edhe për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë, të kryer në dhjetor të vitit 2022. Dyshohet se Papa u vra për hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt, nipit të Kalemit. Sadikaj u vra në qershor të 2022, në shpërthimin e eksplozivit të vendosur në makinën e tij, në autostradën Tiranë – Elbasan.

Sipas raportimeve, Adriatik Kalemi u ka shpëtuar dy atentateve në Greqi. Ai i ka shpëtuar një atentati në Greqi, në ishullin Paksos ku ishte me pushime, si edhe një sulmi me thikë nga një i burgosur nga Egjipti, gjatë kohës që ishte në burg.

Vëllai i Adriatik Kalemit, Zamir Kalemi, u plagos në një atentat ndaj tij, derisa po lëvizte me një makinë Smart në Unazën e Tiranës.

(r.m.)