Prishtinë, 26 korrik 2024 –
Ushtruesja e detyrës së drejtores së Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Zana Spahiu, dha dorëheqje të enjten në mbrëmje. Ajo ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të shpjegojë arsyet e dorëheqjes, e cila hyn në fuqi më 30 korrik.
Dorëheja e Zana Spahiut, e cila u emërua në këtë detyrë më 7 korrik, pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, vjen pas reagimeve që nxiti një shkrim i publikuar nga transmetuesi publik i Kosovës, që pretendonte se dy gazeta në internet me seli në Prishtinë, janë financuar nga Serbia.
Në shkrimin që u mor nga portali boshnjak “Slobodna Bosna”, thuhet mes tjerash se “një portal në Kosovë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiç, ndërsa një portal tjetër ka pranuar transaksion milionësh, me qëllim të publikimit të shkrimeve kritike për qeverinë e Albin Kurtit”. Portali përmend gazetat në internet, Periskopi dhe Nacionale.
Shkrimi i portalit boshnjak që u publikua nga Radiotelevizioni i Kosovës u shpërnda nga disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Bordi i RTK-së u mblodh të martën për disa orë më radhë dhe shprehu sic tha “keqardhjen” për publikimin e shkrimit dhe paralajmëroi formimin e një komisioni për të hetuar përgjegjësinë editoriale.
Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, njoftoi se të enjten është krijuar një komision Ad-Hoc për shqyrtimin e çështjes së publikimit të shkrimit denigrues për “Nacionalen” dhe “Periskopin”.
Ushtruesja e detyrës së drejtores së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, para se të jepte dorëheqjed, ka kërkuar sqarime se me çfarë baze është publikuar shkrimi në fjalë.
Dhjetëra gazetarë të RTK-së janë distancuar nga publikimi i shkrimit.
Edhe redaktori i edicionit të lajmeve ku u transmetua një pjesë e shkrimit, Jeton Musliu, është distancuar nga ky publikim. Në një shpjegim të detajuar në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se ndaj tij është ushtruar presion nga drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, dhe ushtruesja e detyrës së Kryeredaktores, Leonora Bërbatovci.
Një grup organizatash të shoqërisë civile kërkuan më pas dorëheqjen e bordit të RTK-së.
Themeluesi i gazetës Nacionale, Berat Buzhala, dhe ai i portalit Periskopi, Ilir Mirena, paralajmëruan padi ndaj portalit boshnjak.
(r.m.)