Kamala Harris i mblodhi 200 milionë dollarë, në javën e parë të fushatës

Uashington, 28 korrik 2024 – Fushata e zëvendës-presidentes Kamala Harris ka mbledhur 200 milionë dollarë që kur u bë kandidate e mundshme e Partisë Demokrate në zgjedhjet pë Presidente të SHBA-së, javën e kaluar.

Sipas raportimeve të medies amerikane, ekipi i fushatës njoftoi se pjesa më e madhe e donacioneve, më se 66 për qind, janë dhuruar nga kontribues të rinj që dhurojnë për herë të parë për fushatën zgjedhore të këtij viti dhe se këto donacione erdhën pas tërheqjes nga gara të Presidentit Joe Biden. Mbi 170,000 vullnetarë janë regjistruar për të ndihmuar fushatën e zonjës Harris.

Të shtunën, Kamala Harris bëri fushatë në Pittsfield, Massachusetts. Qindra njerëz morën pjesë në një mbledhje fondesh që ishte organizuar kur Joe Biden ishte ende në krye të garës së demokratëve. Sipas ekipit të fushatës, aty pritej të mblidheshin 400,000 dollarë donacione, por u grumbulluan 1.4 milion dollarë.

Edhe shuma e dhuaruar për fushatën e Kamala Harrisit dëshmon mbështetjen e madhe të saj nga kampi i demokratëve. Deri më tash, kandidatura e saj është mbështetur nga autoritete të rëndësishme të Partisë Demokrate, si: ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ish-kryetarja e pakicës së Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Clyburn, ish-Presidenti Bill Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ish-presidenti Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michele Obama, etj.

Kandidati i Partisë Republikane për President të SHBA-së, ish-presidenti Donald Trump, ka nisur ta sulmojë Kamala Harrisin edhe për fondet e dhuruara për fushatë. Sipas ekipit drejtues të fushatës së Trujmpit, Kamala Harris nuk ka të drejtë t’i përdorë për fushatën e saj fondet e dhuruar për fushatën e Presidentit Joe Biden.

Sondazhet e kryera javën e fundit tregojnë për rivalitet të fortë në garën në mes Kamala Harrisit e Donald Trumpit.

(r.m.)