Shkup, 29 korrik 2024 – Tridhjetë e gjashtë ditë nga krijimi zyrtar i koalicionit të ri qeverisës maqedonas dolën në sipërfaqe mosmarrëveshjet e para publike mes partnerëve VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN.
Ata thonë se nuk kanë mosmarrëveshje, ndërsa lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, paralajmëroi se këto ditë do të dalë me qëndrim për marrëdhëniet në qeveri.
Analistët politikë presin që një mospërputhje e tillë e partnerëve të qeverisë të kthehet në një dukuri normale.
Temat e punësimit sipas çelësit etnik dhe njoftimi për krijimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut që ndezi pasionet partiake këtë fundjavë, treguan mosmarrëveshjet e para mes partnerëve qeveritarë.
Llogaritjet e reja të të ashtuquajturit balancues – sipas të cilit përfaqësimi i drejtë në institucione llogaritet në bazë të përqindjes së popullsisë rezidente në shtet nga regjistrimi i vitit 2021, dhe jo si më parë, sipas përqindjes së përkatësisë etnike në totalin e popullsisë së regjistruar – kanë penguar 115 institucione të marrin “dritën jeshile” për punësim në administratën publike.
Ky ishte problemi i parë mes partnerëve të koalicionit, ZNAM-it të Maksim Dimitrievskit dhe koalicionit shqiptar VLEN.
Rasti i dytë ishte shpallja e mbështetjes së VLEN-it për iniciativën e katër komunave për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, gjë që u kundërshtua nga partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe ZNAM, si edhe nga anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut.
Sipas VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, korrespondenca publike mes tyre për këto dy tema nuk paraqet problem në funksionimin e koalicionit, ndërsa për analistët politikë kjo është tregues i qartë i keqkuptimeve të brendshme që mund të shndërrohen në problem më serioz.
Koalicioni qeverisës “Maqedonia juaj”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, thotë se marrëdhëniet brenda koalicionit janë stabile. Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, theksoi se partia e tij ka bashkëpunim parimor me partnerët e koalicionit.
Ai ndan të njëjtin qëndrim për marrëdhëniet mes VLEN-it dhe ZNAM-it, të cilat në disa raste gjatë muajit të kaluar kanë dalë me qëndrime të ndryshme për disa çështje.
Mickoski thotë se partnerët qeveritarë nuk duhet të bien dakord për gjithçka, por çelësi është të pajtohen për shumicën e gjërave.
“Kur je në një familje në shtëpi, jo gjithmonë shkon mirë me anëtarët e një familjeje. Në momente të caktuara do të hasësh keqkuptime, por në një dialog, një mjedis miqësor demokratik, duhet t’i kapërcesh. Deri më tani, në këto pesë javë, kështu funksionojmë si koalicion”, tha kryeministri Mickoski.
Me qëndrim të ngjashëm në opinion ka dalë edhe lideri i njërës prej partive të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, i cili e ka bindur opinionin se në tri dekadat e fundit nuk ka pasur koalicion më të qëndrueshëm se ky.
“Mendoj se ky është koalicioni më i qëndrueshëm në historinë e Maqedonisë së Veriut. Ai ka 78 deputetë, me tendencë për të kaluar 80 deputetë. Natyrisht, ne jemi parti të ndryshme, me mendime të ndryshme. Unë bëj thirrje që ato të debatohen dhe të zgjidhen brenda qeverisë e jo me deklarata për media”, ka vlerësuar Mexhiti.
Por, nga Lëvizja ZNAM thonë se për momentin nuk do të komentojnë publikisht marrëdhëniet mes partnerëve të tyre në pushtet, VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.
Lideri i Lëvizjes, Maksim Dimitrievski, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se së shpejti do të mbajë konferencë për media, ku do të përgjigjet në pyetjet për marrëdhëniet në koalicion.
Asnjë nga partnerët e qeverisë deri më tani nuk ka devijuar publikisht nga qëndrimet për dy tema për të cilat kanë qenë palë kundërshtare.
Asnjëra nga dy partitë e bllokut maqedonas, VMRO-DPMNE dhe ZNAM, nuk po refuzojnë të ndryshojnë përqindjen e punësimit sipas çelësit etnik, i njohur si balancues.
As VLEN nuk heq dorë nga ideja e krijimit të Akademie Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut. Ata sot kanë shkëmbyer mesazhe të ashpra, por Mickoski dhe Mexhiti kanë paralajmëruar zgjidhjen e problemeve në mbledhjen e qeverisë.
Por, ideja vazhdoi të sqarohej nga partneri i koalicionit në qeveri, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Nuk kemi mosmarrëveshje. Ky ka qenë angazhimi ynë programor që nga fushata parazgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Unë gjithmonë mendoj se idetë për shkencën dhe artin janë të mira dhe të bukura. Tani për tani, kemi filluar si iniciativë të katër komunave. Shpresoj që në të ardhmen do të gjejmë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjithë ne që jetojmë në Republikën e Maqedonisë”, tha Taravari.
Por, kjo ide e paraqitur nga koalicioni VLEN, si pjesë e programit të tij parazgjedhor, nuk gjendet në programin e qeverisë, të publikuar pas zgjedhjeve.
Përfaqësuesit dhe liderët e partive që e përbëjnë koalicionin “VLEN” këtë fundjavë kanë pasur një takim me “Shoqatën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve Shqiptare” në Tetovë, nga e cila kanë njoftuar se këtë shoqatë do ta financojnë komunat dhe paralajmëruan aktivitete me qëllim themelimin e Akademisë si institucion publik.
Partitë veprojnë “si tri qeveri në një”
Analisti politik Xhelal Neziri mendon se bëhet fjalë për mospërputhje mes partnerëve qeveritarë lidhur me parimet themelore të funksionimit të qeverisë.
“Kemi një luftë të pandërprerë në vijën e VLEN-it dhe ZNAM-it, ku vërehet një lloj afrimi opozitar i ZNAM-it ndaj VLEN-it, dhe, nga ana tjetër, vërehet një tendencë nga VMRO-DMMNE-ja për ta lënë në hije VLEN-in dhe ta prezantojë atë si një partner të vogël në qeveri. Po ashtu, qeveria që nga fillimi nuk ka vendosur parime themelore, nuk funksionon si ekip dhe si e tillë mendoj se probleme të tilla do të mbeten në funksionimin e qeverisë”, thotë Neziri.
Ai shton se vendimmarrja e njëanshme e disa ministrave tregon se një lloj beteje po zhvillohet brenda koalicionit, dhe se kjo betejë vërehet në koalicionin VLEN, i cili përbëhet nga katër parti.
“Problemin më të madh e shoh në faktin se kjo qeveri funksionon si tri qeveri të veçanta brenda koalicionit. ZNAM i ka dy ministra që veprojnë publikisht si qeveri më vete, për të mos thënë si opozitë me kritika për VLEN-in. Ato kritika zakonisht ndodhin në mbledhjet e qeverisë, por jo jashtë. Njësoj me VLEN-in, me Akademinë. Pse kishin nevojë të promovonin dhe të shkaktonin reagime kaq të dhunshme”, shpjegon Neziri.
Krahas partive, fundjavën e kaluar pati reagime edhe nga intelektualë maqedonas kundër idesë së Akademisë Shqiptare së Shkencave dhe Arteve.
Akademikët Taki Fiti dhe Vlado Kambovski thanë se nuk ka kuptim që në një vend të ekzistojnë dy Akademi kombëtare të Shkencave dhe Arteve.
Sipas tyre, institucionet shkencore dhe artistike duhet të bazohen në vlera të përbashkëta shkencore dhe kulturore, e jo në përkatësi etnike apo politike, të cilat mund të sjellin përçarje dhe konflikte në komunitetin shkencor.
Më herët, ka pasur mosmarrëveshje edhe rreth përdorimit të flamurit shqiptar në zyrat qeveritare të ministrave të koalicionit VLEN.
Lideri i ZNAM-it, Dimitrievski, u kërcënua se do të largohet nga qeveria nëse nuk respektohet ligji për përdorimin e flamujve.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski u formua më 23 qershor, me votat e 77 deputetëve.