MPB e Maqedonisë së Veriut e fajëson sigurimin e Presidentes Osmani për incidentin në Aeroportin e Shkupit

Shkup, 1 gusht 2024 – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut e ka fajësuar sigurimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për incidentin në Aeroportin Ndërkombëtar të  Shkupit.

Sipas komunikatës së kësaj ministrie, sigurimi i Presidentes Osmani ka qenë iniciator i konfliktit mes sigurimit të aeroportit, policisë dhe sigurimit të presidencës së Kosovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Sot (01.08.2024) rreth orës 10 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit derisa Presidentja e Kosovës po e kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur i është kërkuar që ta lëshojë telefonin për të kaluar nëpër skaner, një person nga sigurimi i saj e ka shtyrë personin e punësuar nga TAV [Aeroporti], për të shmangur kalimin e telefonit nëpër skaner që ishte në çantën e dorës. Më vonë, çanta ka kaluar nëpër skaner. Pas gjysmë ore, në vendin e ngjarjes ka mbërritur sigurimi i kryetarit të Kuvendit, [Afrim] Gashi (zyrtar policor) me dy persona të tjerë zyrtarë, të cilët i kanë kërcënuar dhe u kanë kërkuar llogari personave të punësuar në TAV se kush e kishte shqetësuar Presidenten. Menjëherë është njoftuar Kontrolli i Brendshëm në MPB, hetuesit e kriminalistikës për standarde profesionale në MPB dhe Prokuroria Publike të cilat po marren masat e duhura për ta zbardhur rastin”, thuhet në komunikatën e MPB të Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësi i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka deklaruar më herët se sigurimi i Presidentes Osmani ka reaguar dhe i ka hapur rrugë Presidentes pasi një zyrtar i sigurimit të aeroportit ka tentuar ta shtyjë fizikisht Presidenten Osmani.

“Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike,” ka thënë Kupina.

Incidednti ka ndodhur të enjten, gjatë udhëtimit të Presidentes së Kosovës për në Slloveni.

(r.m.)