Hovenier: Tash për tash, QUINT-i dhe NATO-ja s’e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit

Prishtinë, 2 gusht 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha të premten se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja tash për tash nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve.

Ai i bëri këto komente pas një takimi të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesit të BE-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

“Ne, përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha Hovenier, pas takimit.

Hovenier nuk pranoi të komentojë se për çfarë arsyesh nuk e mbështesin hapjen e urës. 

Takimi i ambasadorëve të QUINT-it dhe ambasadorit të BE-s՞ me Kurtin vjen pas paralajmërimeve të qeverisë për hapjen e urës. 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të enjten se hapja eventuale e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve duhet të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim ndaj kësaj deklarate, tha se çështja e urës së Ibrit “nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë”. Ajo theksoi se kjo do të ishte “shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës”.

Zyrtarë e Bashkimit Evropian që kanë folur për çështjen e hapjes së urës, kanë thënë se “shmangia e veprimeve të njëanshme përbën detyrim për palët”. 

Ura e Ibrit në Mitrovicë është bërë simbol i ndarjes së qytetit në dy pjesë. Kjo urë është e hapur vetëm për qarkullim të këmbësorëve dhe mbikëqyret nga pjesëtarët e KFOR-it. Bashkimi Evropian ka investuar në rekonstiumin e urës dhe ka paralajmëruar disa herë hapjen e saj për qarkullim edhe për vetura, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të kundërshtimit të Serbisë.

Qarkullimi nëpër këtë urë është penguar nga strukturat paralele të Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, “Rojat e Urës” dhe “Mbrojtja Civile” e të tjera, të cilat financoheshin dhe kontrolloheshin nga Beogradi.

Me një marrëveshje të arrtitur në Bruksel, në kuadrin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, strukturat paralele serbe duhet të ishin shpërbërë, por dyshohet se ato vazhdojnë të veprojnë edhe më tutje, por në mënyrë më diskrete.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se ura do të hapet për qarkullim edhe për automjete. Ky paralajmërim ka nxitur reagimin e Beogradit.

(r.m.)