Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut për incidentin me Presidenten Osmani

Prishtinë, 2 gusht 2024 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës të premten ka njoftuar se i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime për incidentin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, të enjten paradite.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se Presidentja Osmani është trajtuar në mënyrë të papërshtatshme dhe të kundërligjshme nga sigurimi i aeroportit.

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në njoftim thuhet se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka takuar mbrëmë ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe sot ka kërkuar “sqarime në lidhje me rastin”.

“Gjithashtu, Ministrja Gërvalla ka realizuar sot një takim në MPJ me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndermarrjes së veprimeve të shpejta institucionale. Në kuadër të veprimeve të ndermarra, Ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se sigurimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit ka tentuar t’ia marrë Presidentes Osmani telefonin personal të saj, madje ka tentuar edhe ta shtyjë fizikisht presidenten.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka thënë se incidenti është provokuar nga sigurimi i Presidentes Osmani.

Ky incident ka nxitur reagime edhe te partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Partitë në pushtet e shfajësuan veten, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë kërkoi përgjegjësi ligjore e politike për personat e përfshirë në incident.

(r.m.)