Uashington, 2 gusht 2024 – Nënpresidentja Kamala Harris ka siguruar mbështetjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë, për t’u bërë kandidatja e partisë për presidente, njoftoi të premten kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat, Jamie Harrison.
Procesi i votimit në distancë vazhdon deri të hënën, por ekipi elektoral njoftoi se u kalua pragu i nevojshëm për të siguruar shumicën e votave të delegatëve.
Zonja Harris pritet tashmë të bëhet kandidatja e parë zyrtare për presidente e një prej partive kryesore, që është me origjinë afrikano-amerikane dhe nga Azia juglindore.
“Jam e nderuar të jem kandidatja e pritshme demokrate”, tha zonja Harris gjatë një telefonate me mbështetësit.
Zoti Harrison tha se “do të bashkohemi përreth Nënpresidentes Kamala Harris dhe do të demonstrojmë fuqinë e partisë sonë” gjatë kuvendit që do të mbahet këtë muaj në Çikago.
Demokratët po vazhdojnë procesin e votimit virtual për të emëruar kandidate zyrtare zonjën Harris, duke iu afruar kështu përfundimit të një procesi që u trazua nga vendimi i Presidentit Joe Biden për të mos rikandiduar.
Delegatët për në Kuvendin Kombëtar Demokrat filluan të enjten votimin nëpërmjet një lidhjeje të sigurtë të postës elektronike dhe votimi do të mbahet i hapur deri të hënën në mbrëmje. Zonja Harris nuk ka përzgjedhur ende kandidatin për postin e nënpresidentit dhe pritet që të intervistojë kandidatët e mundshëm gjatë fundjavës.
Emërimi zyrtar pritet të finalizohet deri më 7 gusht, megjithëse kuvendi në Çikago do të fillojë pas dy javësh. Zyrtarët demokratë kanë thënë se procedura e përshpejtuar ishte e nevojshme për shkak të afatit të vendosur deri në 7 gusht në Ohajo për regjistrimin e kandidatëve.
Kandidimi i Nënpresidentes Harris u mbështet nga Presidenti Biden pak pasi ai vetë u tërhoq nga gara, duke e vendosur kështu zonjën Harris në vijën e parë të fushatës për të mundur kandidatin republikan Donald Trump. Ajo nuk u sfidua nga kandidatë të tjerë të rëndësishëm nga brenda Partisë Demokrate dhe ajo ishte zgjedhja e vetme për delegatët. Sipas rregullave të partisë, nevojitet mbështetja e të paktën 300 delegatëve, me jo më shumë se 50 firma nga grupi i delegatëve i një shteti të vetëm.
Delegatët që dëshirojnë të votojnë për dikë tjetër, do të regjistrohen thjesht si “të pranishëm”.
Demokratët do të mbajnë sidoqoftë edhe një votim me zë për secilin shtet gjatë kuvendit – kjo është mënyra tradicionale e përzgjedhjes së kandidatit zyrtar. Sidoqoftë, kjo do të jetë thjesht ceremoniale për shkak të votimit virtual që po organizohet paraprakisht.
Partia Demokrate këmbëngul se duhet ta ketë përcaktuar kandidaten e saj për presidente përpara çeljes së kuvendit në Çikago, më 19 gusht, për t’u siguruar që plotësohen afatet e caktuara në Ohajo. Ky argument kundërshtohet nga republikanët e këtij shteti.
Ligjvënësit e shtetit Ohajo e kanë ndryshuar tashmë afatin, por ndryshimi nuk hyn në fuqi deri në 1 shtator. Këshilltarët juridikë të Partisë Demokrate paralajmërojnë se nëse pritet deri përtej afatit fillestar për të përcaktuar kandidaten për presidente, kjo mund të sillte sfida ligjore.
(Zëri i Amerikës)