SPAK dërgon në gjykim ish-ministrin Koka dhe 11 të tjerëve edhe për incineratorin e Tiranës

Tiranë, 2 gusht 2024 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të premten, më 2 gusht, për përfundimin e hetimeve ndaj 12 zyrtarëve dhe funksionarëve publikë të marrë të pandehur për shpërdorim detyre, lidhur me aferën e incineratorit të Tiranës, si dhe për dërgimin për gjykim të kësaj çështjeje.

Mes të pandehurve është dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, duke u gjetur kështu përgjegjës në të tri procedurat koncesionare të incineratorëve të Elbasanit, Fierit dhe të Tiranës.

Të pandehurit e tjerë janë Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe ish-ministrin Koka, kanë shpërdoruar detyrën.

Sipas prokurorisë, janë konstatuar veprime të kundërligjshme të këtyre personave në procedurën e lidhjes së kontratës së koncesionit të gushtit 2017, me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë ”. Kontrata u lidh mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., me kosto investimi të parashikuar nga shoqëria, në vlerën 128.2 milionë Euro pa TVSH.

Anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, akuzohen se së bashku me Kokën, drejtoren e drejtorisë juridike në Ministrinë e Mjedisit, Alba Thoma dhe përgjegjësin e sektorit të prokurimeve, Bledar Karoli, kanë propozuar dhënien e bonusit për shoqërinë, pa hartuar më parë një raport përmbledhës, si dhe pas sqaruar kostot e projektit. Po ashtu, nuk është përcaktuar se si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e këtij bonusi. Në vijim ata kanë përgatitur dhe dërguar në Këshillin e Ministrave projektvendimin për dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës së shoqërisë propozuese.

Sipas SPAK, shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e biznesmenit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services”, ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura. Prokuroria thotë se kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, që e kanë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Po ashtu, dokumentet standarte të koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që ato janë ngarkuar në sistemin e prokurimit elektronik, pasi rezulton se nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për një veprim të tillë.

“Rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze ‘Integrated Energy BV’, i cili jua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, të pandehurve Alba Thoma dhe Bledar Karoli”, shpjegon SPAK në njoftim. Thoma dhe Karoli akuzohen se kanë shërbyer si urë lidhëse ndërmjet ministrisë dhe shoqërisë së zotëruar nga Zoto.

Ish-ministri Koka, rezulton të ketë miratuar vazhdimin e procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të dokumenteve standarte të koncesionit nga ana e komisionit.

Ndërsa anëtarët e Komisionit në përllogaritjen e kostove të fizibilitetit kanë konsideruar ato nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre. Nga hetimi kanë rezultuar të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, që kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore, në 29 euro për ton.

Në njoftim thuhet se në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga komisioni, nuk janë konsideruar të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. “Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët”, vlerëson SPAK dhe shton se nuk janë përfshirë të ardhurat që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

Sipas prokurorisë, nëse do të ishin përllogaritur dhe të ardhurat që shoqëria do të përfitonte nga palët e treta, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.

Punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, akuzohen se nuk kanë administruar dokumentacionin shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve gjatë procedurës së këtij koncesioni.

Në fund të njoftimin SPAK sqaron se po vijon hetime të për të gjithë subjektet e tjerë të regjistruar në kuadër të këtij procedimi penal, me qëllim evidentimin e çdo fakti penal tjetër, për veprimet e zyrtarëve publikë përgjegjës që kanë marrë pjesë para dhe gjatë dhënies së koncesionit, si edhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare.

Mirel Mërtiri dhe Klodina Zoto, të akuzuar si organizatorët e aferës së incineratorëve janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

(Reporter.al)