Shkup, 2 gusht 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme e të Maqedonisë së Veriut ka reaguar lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku një pjesëtar i sigurimit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në reagim shprehet keqardhje për incidentin dhe paralajmërohet se autoritetet kompetente do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur situata të tilla në të ardhmen.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize të detajuar të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur situata të tilla në të ardhmen,” thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Në reagim thuhet gjithashtu se ky incident e nxjerr në pah “nevojën për të forcuar komunikimin dhe koordinimin mes dy vendeve, për të garantuar respektin dhe sigurinë në marrëdhëniet dypalëshe”.
Ministria e Punëve të Jashtme e të Maqedonisë së Veriut thekson se dy vendet kanë marrëdhënie të mira dhe mes tyre nuk ka çështje të hapura.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se të premten ka paraqitur notë proteste te autoritetet maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të këtij incidenti.
Presidenca e Kosovës e ka cilësuar incidentin si “sulm ndaj Republikës së Kosovës” dhe ka kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut që rastin ta trajtojnë me urgjencë dhe të marrin masa ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë incident.
(r.m.)