Vuçiq: Sjellja e Albin Kurtit është përpjekje për të shkaktuar konflikt të armatosur

Beograd, 5 gusht 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës.

Vuçiq ka thënë se sjellja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është “përpjekje për të provokuar luftë”, duke i akuzuar “disa fuqi perëndimore” për mbështetjen e Kurtit nga

“Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Por, ai [Kurti] po e bën këtë qëllimisht, në mënyrë të organizuar dhe me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, ka thënë Vuçiq, citon Danas.

Ai e ka kritikuar deklaratën e Bashkimit Evropian ku kërkohet që çështja e operimit të Postës së Serbisë të diskutohet në kuadër të dialogut.

“Deklarata e Shërbimit të Jashtëm të agjencisë evropiane, ‘Ministrisë së tyre të Jashtme’, është e turpshme dhe pafytyrë sepse në atë deklaratë na ftojnë të diskutojmë për lëvizjet e njëanshme të Kurtit, përndryshe të paligjshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, teksti i deklaratës së BE-së është zbutur për shkak të dy vendeve të Be-Së.

“Teksti është zbutur qëllimisht. E di si ka shkuar nga brenda. Për shkak të dy anëtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët gjithmonë i moderojnë të gjitha qëndrimet që duhet të drejtohen kundër Prishtinës dhe Kurtit dhe përpiqen të na bëjnë budallenj. Kjo flet për ta dhe asgjë më shumë se kaq”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë përbën shkelje të marrëveshjes për telekomunikacionin të  arritur në Bruksel në vitin 2015 dhe se për këtë ka folur me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.

“Ajo marrëveshje u shkel brutalisht. Unë jam shumë i shqetësuar. Nuk do të flas më shumë, sepse kam frikë se mund të dëmtoj interesat e vendit tim dhe të popullit tim. Unë kam folur personalisht me Lajçakun, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë”, është shprehur ai.

Bashkimi Evropian ka thënë veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e degëve të Bankës së Serbisë në Kosovë I konsideron si të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe ka kërkuar që zgjidhja të gjendet në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

(r.m.)