Bislimi: Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Kosovë

Prishtinë, 6 gusht 2024 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të martën se autoritetet e Kosovës kanë mbrojtur sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë kur kanë mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë në veri të vendit, një ditë më parë.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se “strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal”, nuk kanë vend në Kosovë dhe që “kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”.

“Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ajo gjithashtu përbën aktivitet ilegal, shkakton çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës”.

Sipas Bislimit, Kosova është e obliguar të praktikojë ekonominë e tregut të lirë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të arritur me BE-në.

Perëndimi e ka dënuar ashpër vendimin për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë, duke thënë se vendime të tilla, të njëanshme dhe të pakoordinuara, dëmtojnë komunitetin serb në veri, dhe shkelin marrëveshjet e Brukselit.

Bislimi e ka adresuar edhe kritikën e BE-së, duke vlerësuar që blloku evropian ka më shumë gatishmëri në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, sesa të merret me çështjet qendrore, duke përmendur Marrëveshjen bazike dhe aneksin për të, dokumente për të cilat palët kanë arritur pajtueshmëri më 2023.

Blloku evropian ka thënë të martën se veprimet e fundit të Kosovës mund të ndikojnë negativisht edhe në aplikimin e këtij vendit për anëtarësim në BE, dhe në heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vëna më shumë se një vit më parë, pas përshkallëizmit të situatës në veri.

(r.m.)