Kurti përpiqet t’i bindë serbët për “përfitimet” nga hapja e Urës së Ibrit

Prishtinë, 7 gusht 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet t’i bindë serbët që e kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim të veturave se nga kjo kanë përfitime të gjithë.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje publike serbëve që ta mërrin pjesë në një “bashkëbisedim” që do të zhvillohet të enjten në Kuvendin Komunat të Mitrovicës së Veriut, ku do të diskutohet edhe për hapjen e Urës së Ibrit.

“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”, ka shkruar Kurti.

Ai i ka ftuar serbët që Urën e Ibrit, e cila është bërë simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës, ta shndërrojnë në “simbol të bashkimit dhe normalizimit”  

“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka theksuar ai.

Kurti e ka cilësuar të drejtë demokratike protestën e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës kundër hapjes së paralajmëruar të Urës së Ibrit. Ai e ka vlerësuar faktin se gjatë protestës nuk ka ndodhur asnjë incident dhe i ka falënderuar institucionet e sigurisë që e kanë siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Postimi i plotë i Kurtit:

Protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident. I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim.

Komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit.

Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit.

(r.m.)