BE-ja paralajmëron edhe mundësinë e shtimit të masave ndaj Kosovës

Bruksel, 8 gusht 2024 – Bashkimi Evropian paralajmëroi se masat ndaj Kosovës jo që nuk do të hiqen, por edhe mund shtohen, në qoftë se Qeveria e Kosovës vazhdon të ndërmarrë veprime të cilat nga bashkësia ndërkombëtare po konsiderohen si “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka përmendur mundësinë e shtimit të masave ndaj Kosovës në kontekst të mbylljes së nëntë zyrave të Postës së Serbisë në katër komuinat veriore të Kosovës dhe të planit për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.

“Masat u vendosën vjet për shkak se po ndodhte shumëçka që po çonte drejt përshkallëzimit [të situates] dhe tani, në vend të hapave që do të çonin drejt depërshkallëzimit, janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz. Ne kemi thënë atëherë se këto masa mund të zgjaten apo të hiqen pavarësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen, nëse akterët evropianë pajtohen se ato duhet të shtohen”, ka thënë Stano të e njten, në konferencën për medie.

Stano ka thënë se shpreson që Qeveria e Kosovës ta kuptojë mesazhin dhe të parandalojë marrjen në konsideratë të shtimit të masave.

“Ua kemi bërë të qartë qëndrimin tonë Kosovës, në shumë nivele, në shumë mënyra dhe përmes shumë partnerëve. Nuk është vetëm BE-ja. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë Qeverisë në Prishtinë që të mos vazhdojë me këtë seri hapash të pakoordinuar, negativë dhe të njëanshëm. Shpresojmë se, më në fund, do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të na ndalojnë të marrim në konsideratë se çfarë masash do të konsiderojmë të marrim, nëse situata nuk ndryshon”, ka theksuar Stano.

(r.m.)