Serbët e shohin hapjen e Urës së Ibrit si kërcënim, Policia thotë se u garanton siguri të plotë

Prishtinë, 8 gusht 2024 – Disa qytetarë serbë që morën pjesë në për bashkëbisedimin me qytetarë për hapjen e Urës së Ibrit, të organizuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, të enjten, shprehën shqetësimin se me hapjen e urës do të përkeqësohej situata e sigurisë në pjesë veriore të qytetit.

Një përfaqësues i partisë Demokracia Serbe u shpreh kundër hapjes së urës, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

“A e merrni ju udhëheqësit përgjegjësinë nëse ndodh ndonjë incident?”, i pyeti ai zyrtarët e qeverisë dhe të policisë së Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se shteti garanton se do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, pavarësisht prej përkatësisë së tyre etnike.

“Shteti garanton që do të jetë në krye të detyrës, që siguria publike në secilin cep të Kosovës të jetë në nivel dhe që qytetarët të jenë të sigurtë. Këtu ka edhe një histori të trazirave, kërcënimeve edhe të nxitjeve të tensioneve, por urat kanë qëllim të bashkojnë”, tha ai.

Krasniqi theksoi se hapja e urës nuk paraqet kurrfarë kërcënim për asnjë komunitet.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se nga aspekti i sigurisë nuk ka arsye që ura të mbetet e mbyllur.

Ndërkaq, Jeta Tela, këshilltare e lartë në Ministrin e Brendshme të Kosovës, tha se policia është garantuese e sigurisë.

“Besoj që jemi shumë vonë për hapjen e urës, do të duhej të ishte hapur më herët. Sot ne do të duhej të flisnim për problemet kryesore që Mitrovica i ka si papunësia e problemet e tjera që i prekin drejtpërdrejtë qytetarët sepse u përmend disa herë që urat vetëm na bashkojmë. Kemi edhe garancinë që u dha nga policia për të monitoruar situatën në rast të ndonjë shqetësimi”, tha ajo.

Tela tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar të rrisë bashkëpunimin mes policisë dhe komunitetit në këtë pjesë të Kosovës. Ajo theksoi se është e rëndësishme që pjesëtarët e komunitetit serb të marrin pjesë në institucionet dhe në forumet e sigurisë.

Por, serbët që morën pjesë në debat u ankuan edhe për praninë e madhe të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të venbdit të banuar me shumicë serbe, duke e cilësuar këtë si dëshmi për situatë të brishtë të sigurisë në këtë pjesë.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se situata në këtë komunë është “politikisht komplekse”, por thotë se ka mësuar shumë nga takimet e shpeshta me qytetarët. 

Një qytetar serb tha se çështja e urës nuk është preokupim i saj. Ai tha se preokupim kryesor i tij është ekzistenca dhe tregoi se prej viti 2015 ai është i papunë dhë se jeton me shumë vështirësi.

Në debat mori pjesë një numër i vogël i qytetarëve serbë dhe përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile dhe të medieve në gjuhën serbe.

(r.m.)