Vuçiq i fajëson “agjenturat e huaja” për humbjen e besimit te serbët në Kosovë

Beograd, 11 gusht 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po përballet me protesta të forta të qytetarëve serbë që e kundërshtojnë hapjen e minierës së litiumit, po përpiqet të gjejë shpëtim në konspiracione.

Të dielën, në një adresim për publikun, ai ka thënë se “agjenturat e huaja” po përpiqen të instalojnë në Kosovë “disa liderë të rinjë serbë” që do të punonin për “interesa të huaja” dhe jo për qytetarët serbë në Kosovë.

“Ndërkohë agjenturat e huaja do të përpiqen do të përpiqen t’i instalojnë disa liderë të rinjë serbë të cilëve do t’u ndihmojnë të duken të guximshëm, ndonëse nuk janë të tillë, dhe të përpiqen që t’i shkëpusin nga Beogradi, të thonë se Beogradi nuk u uintereson më dhe me Kurtin [kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti] të merren vesh se si dhe në çfarë mënyre të bëhen shërbëtorë të tij, por në të vërtetë punojnë për interesa të huaja”, është shprehur ai.

Vuçiq nuk ka thënë se cilët do të jenë këta “liderë të rinj serbë”, por “agjenturave të huaja” u ka thënë se nuk do të arrijnë ta realikzojnë këtë.

“T’u them menjëherë, për herë të njëmijtë, se kjo nuk do t’u kalojë”, është shprehur ai.

Vuçiq e ka përdorur si mjet për tërheqjen e vëmendjes së qytetarëve të Serbisë nga rritja e pakënaqësisë me qeverisjen e tij edhe planin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë. Ai ka thënë se ka informacione se autoritetet e Kosovës planifikojnë “hapjen me dhunë” të Urës së Ibrit më 14 ose më 15 gusht.

“Në Kosovë e Metohi presim provokime të tjera. Më 14 dhe 15 [gusht] presim hapjen me dhunë të urës”, ka thënë ai.

Ai i ka bërë thirrje misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të “mos lejojë hapjen e njëanshme të urës.

“I bëj thirrje KFOT-it që të reasgojë dhe të mos lejojë hapjen e njëanshme të urës, ashtu siç kanë thënë deri më tash”, ka thënë Vuçiq.

“Besoj se KFORi do ta bëjë punën e vet”, është shprehur ai, duke shtuar se udhëheqja serbe “ka respekt” për KFOR-in.

Kohët e fundit janë shfaqur shenja të dukshme se ndikimi i Vuçiqit te serbët në Kosovë është zbehur dukshëm. Udhëheqësit e partisë serbe që kontrollohet nga Vuçiqi, Listës Serbe, kanë qenë pothuajse të padukshëm në protestat e serbëve kundër mbylljes së filialeve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës dhe kundër hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Në disa shkrime të publikuara në mediet serbe, Beogradi zyrtar dhe vetë Vuçiqi akuzohen së kanë realkuar në mënyrë të mefshtë për mbylljen e filialeve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës.

Ka shenja edhe për rënie të konsiderueshme të numrit të serbëve që i kundërshtojnë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Një sondazh i zhvilluar nga mediumi Kossev, në Mitrovicën e Veriut, ka treguar se 30 për qind e serbëve të anketuar janë shprehur pro hapjes së Urës së Ibrit, një përqindje kjo e lartë në kushte të presioneve dhe shantazheve që ushtron Beogradi ndaj serbëve në Kosovë, përmes institucioneve dhe strukturave paralele në Kosovë.

(r.m.)